Fjalimi i Netanyahut, kundërpërgjigjet Obama: Asgjë të re

03/03/2015 00:00

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Shtetet e Bashkuara gjatë së martës, se po negocionin një marrëveshje tepër negative me Iranin, e cila do t’i hapte rrugën një “makthi bërthamor”, por që në fakt tërhoqi vetëm vërejtje nga presidenti Barack Obama, duke ekspozuar edhe më shumë thellësinë e krisjes mes SHBA-ve dhe Izraelit.

Duke dhënë mesazhe “dueluese” vetëm pak orë nga njëri-tjetri, Netanyahu bëri publik çështjen e tij kundër diplomacisë iraniane të Obamës, në fjalimin e mbajtur në Kongres, duke e vënë veten në të njëjtën linjë me “armiqtë” republikanë të presidentit.

Ndërkohë, Obama iu kundërpërgjigj nga Zyra Ovale, duke deklaruar përmes një toni frustrues se Netanyahu nuk ofroi “asgjë të re”.

Një kundërpërgjigje ka ardhur edhe nga qeveria iraniane, e cila e denoncoi fjalimin 39-minutësh të Netanyahut si “të mërzitshëm dhe përsëritës”, siç bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA.

“Nëse marrëveshja që po negociohet tashmë do të pranohet nga Irani, atëherë ajo jo vetëm që nuk do ta ndalonte Iranin të zhvillonte armë bërthamore, por do t’i garantonte Iranit të kishte shumë armë bërthamore”, tha lideri izraelit në kritikën e tij ndaj strategjisë së Obamës.

Në shfaqjen e tij të bojkotuar nga dhjetëra demokratë të Obamës, Netanyahu tha se udhëheqësi i Iranit ishte “po aq radikal sa të gjithë të tjerët”, nuk mund t’i besohej dhe marrëveshja që po shqyrtohet me fuqitë botërore nuk do ta pengonte Iranin drejt bombës bërthamore, por do t’i hapte rrugën një gjëje të tillë.

Në një kundërshtim 10-minutësh të fjalimit të Netanyahut, Obama tha se kryeministri izraelit nuk ofroi asnjë alternativë të mundshme. “Alternativa e vetme që ofron ai është asnjë marrëveshje”, tha kreu i SHBA-ve. Plot 60 nga 232 anëtarët demokratë të Kongresit nuk ishin të pranishëm në fjalim.

Top Channel