Vritet në Siri ish-marinsi britanik, luftonte përkrah forcave kurde

04/03/2015 00:00

Një ish-marins britanik është vrarë në Siri ndërsa luftonte përkrah forcave kurde kundër militantëve të Shtetit Islamik. Lajmi është bërë i ditur nga BBC, e cila ka cituar burime nga milicia kurde.

Njësia e Mbrojtjes së popullit kurd, e njohur ndryshe si YPG, ka identifikuar shtetasin britanik si Erik Scurfield, nga Barnsley. Një aktivist britanik pro-kurd tha se ka njoftuar familjen Scurfield, me kërkesë të YPG.

Shtetasi britanik është vrarë ditën e hënë në perëndim të qytetit Qamishli në Siri. Një komandant kurd tha se në atë zonë, përleshjet me militantët e ISIS janë duke vazhduar ende.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme britanike thuhet: Ne kemi marrë informata për vdekjen e një shtetasi britanik në Siri. Britania e Madhe ka këshilluar shtetasit e saj të ndalin udhëtimet për në Siri, ku të gjitha shërbimet konsullore janë pezulluar. Duke mos pasur asnjë përfaqësues në këtë vend është shumë e vështirë për të marrë konfirmime të vrasjeve apo plagosjeve.

Sipas BBC, rreth 100 vullnetarë perëndimorë, përfshirë edhe shtetas britanikë, janë duke luftuar përkrah forcave kurde. Ndërkohë, mendohet se 500 shtetas britanikë i janë bashkuar ISIS.

Top Channel