Kolumbi, ndalohet anija me flamur kinez, transportonte eksplozivë dhe armë

04/03/2015 00:00

Autoritetet kolumbiane kanë ndaluar një anije me flamur kinez, e cila po transportonte eksplozivë dhe armë në mënyrë të paligjshme me destinacion Kubën.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Kolumbisë tha se anija u ndalua të shtunën në portin verior të Kartagjenës, në bregun e Karaibeve.

Autoritetet vendase bënë të ditur se në bordin e anijes janë gjetur rreth 100 ton barut, 3 milionë detonatorë, rreth 3 mijë predha topi dhe armë të tjera. Në dokumentacionin e anijes thuhej se transportonte produkte të drithërave, por pas kontrollit autoritetet kanë gjetur municione.

“Dokumentacioni që disponon kapiteni i anijes, nuk korrespondon me mallin që kemi gjetur në bordin e anijes’’, tha Luiz Gonzalez, zyrtar kolumbian. Anija me flamur kinez po mbahet e bllokuar në port, ndërsa kapiteni Wu Hong është arrestuar nën akuzën për trafikim të armëve.

Një anije e Koresë së Veriut u ndalua në Karaibe në muajin korrik të vitit  2013, në afërsi të Kanalit të Panamasë. Në bordin e anies u gjetën dy avionë luftarakë “MiG-21”, të fshehur nën mijëra ton sheqer.

Top Channel