Libi, militantët islamikë marrin nën kontroll dy zona naftëmbajtëse

04/03/2015 00:00

Militantët islamikë, përkrahës të Shtetit Islamik, raportohet të kenë marrë nën kontroll dy zona naftëmbajtës në Libinë Qendrore.

Prej muajsh, grupet rivale në Libia vazhdojnë të luftojnë mes tyre për kontrollin e vendit. Forcat e qeverisë së njohur nga ndërkombëtarët janë duke zhvilluar një betejë të ashpër me rivalët e tyre që kanë nën kontroll kryeqytetin, Tripoli. Dy palët kanë kryer sulme ajrore gjatë ditës së martë.

“Ekstremistët morën nën kontroll fushat e naftës në al-Bahi dhe al-Mabruk dhe tani po tentojnë edhe al-Dahra-n, pas tërheqjes së forcave të qeverisë”, tha kolonel Ali al-Hassi zëdhënës, për sigurinë e industrisë së naftës.

Prej javësh në këto zona ishte pezulluar puna dhe stafi i punëtorëve ishte evakuuar për shkak të shtimit të dhunës në vend dhe rënies së eksportit. Të paktën 11 persona mbetën të vrarë në muajin shkurt në al-Mabruk pas një sulmi të militantëve.

Koloneli Ali al-Hassi tha gjithashtu se avionët luftarakë të milicisë dështuan në një përpjekje për të sulmuar një terminal të eksportit të naftës, pranë portit në al-Sidra.

Top Channel