Subashi: Përjashtimi, jo surprizë

04/03/2015 00:00

Duke e konsideruar një vendim që pritej brenda PS-së përjashtimin e
deputetit Doshi, pas akuzave të rënda që bëri në drejtim të qeverisë,
deputetët socialistë tregohen të rezervuar për sa i përket gjithë
debatit të bërë në mbledhjen me dyer të mbyllura edhe mes kreut të
partisë Edi Rama me Ben Blushin.

Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Armando Subashi, tha se nuk ishte aspak një surprizë për të majtën, duke u nisur nga rrjedhja e ngjarjeve brenda PS një javë më parë. “Nisur nga ajo që ndodhi javës që shkoi, besoj që dhe qëndrimi ishte në atë vazhdë, kështu që nuk kishte ndonjë surprizë për ne. Edhe ato që kam dëgjuar sot nëpër gazeta – ky votoi kundër, ai votoi kundër – nuk qëndrojnë sepse vendimi ka qenë unanim”, tha Subashi.

Për deputetin Rakip Suli, deputeti Doshi zgjodhi të vetëpërjashtohej, për të nxjerrë në këtë mënyrë në pah problematikat që nuk kanë lidhje me partinë. “Nuk do thoja që ne e përjashtuam, po u vetëpërjashtua dhe u lirua nga akuzat që hodhi për të qenë i lirë për të bërë ato që ai pretendon. Mendojmë që gjëja më e mirë që bëri PS ishte që e la të lirë që ai të nxjerrë në pah ato problematika që ka vetë, unë do thoja që nuk ka lidhje fare me partinë. Ishte diçka personale e tij, që nuk ka lidhje me PS-në”, tha ai.

Duke komentuar situatën brenda PS-së, deputeti Dashamir Peza tha se debatet janë të shëndetshme për partinë kur ato janë transparente, si ai i mbledhjes së grupit ku nuk përjashtoi as përplasjen mes Ramës dhe Blushit.

“Nuk shikoj asnjë evidencë që të më shtyjë të mendoj që ka një veprim, i cili kërkon një hetim të thelluar, kjo është ta politizosh problemin për qëllime të mirëfillta politike dhe kur them politike, në kuptimin e avantazhit politik ndaj kundërshtarëve. Unë nuk jam as me z. Blushi, as kundër z. Blushi, individët shprehin pikëpamjet e tyre. Ajo që ndodhi mbas ishte një diskutim që i panevojshëm sepse ishte rënë dakord që, për të diskutuar dhe për të thelluar në mënyrë institucionale çdo shqetësim do të lihej një herë tjetër, pastaj pati një reagim që mendoj se ishte i panevojshëm. Toma ka pasur një rol shumë të rëndësishëm elektoral në zonën e Shkodrës dhe ka qenë një bashkëpunëtor pa diskutim i Kryeministrit dhe një nga anëtarët e grupit parlamentar”, tha Peza.

Top Channel