Mustafa: T’i hapim rrugën ligjore formimit të Gjykatës Speciale

04/03/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka paralajmëruar se në ditët e ardhshme qeveria do të procedojë në Kuvend amendamentet kushtetuese për t’i hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Tani ne duhet ta konkretizojmë atë, duhet ta bëjmë ndryshimin e Kushtetutës, duhet ta aprovojmë ligjin mbi Gjykatën Speciale, përkatësisht mbi dhomat e veçanta sepse akoma nuk është përkufizuar qartë emërtimi i kësaj gjykate. Ose në fund të kësaj jave, ose fillimin e javës së ardhshme ne do të procedojmë me ndryshimin e Kushtetutës e cila pastaj hap mundësi për themelimin e kësaj gjykate. Është një çështje që nuk është e lehtë, unë konsideroj se nuk është çështje drejtuar ndaj luftës së UÇK-së, por për individë”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
 
Mustafa, gjatë qëndrimit në një forum të shoqërisë civile, ka folur edhe për Asociacionin e Komunave Serbe, i cili sipas tij do të bëhet vetëm sipas ligjeve të Kosovës.
 
Duke folur për dialogun me Serbinë, kryeministri kosovar tha se deri në takimin e ardhshëm, Serbia duhet të shuajë institucionet paralele në Kosovë.
 
Ndërsa i pyetur nëse qeveria e tij bie nëse Hashim Thaçi nuk zgjidhet president vitin e ardhshëm sipas marrëveshjes, Mustafa u shpreh i bindur se marrëveshja do të zbatohet e plotë dhe Thaçi do të bëhet president: “Unë do t’i qëndroj marrëveshjes dhe i qëndron LDK-ja marrëveshjes me PDK-në. Dhe marrëveshja është se ne do ta përkrahim zotin Thaçi që të zgjidhet president i vendit. Në qoftë se 2-3 deputetë nuk e përkrahin, është punë e tyre, por unë mendoj që kjo punë do të kryhet. Por, edhe ata që nuk e përkrahin apo nuk dëshirojnë ta përkrahin, duhet ta dinë që nëse nuk e përkrahin do të ketë pasoja për vendin. Do të ketë pasoja nëse për arsye personale futemi në një cikël të tillë”.
 
Kryeministri Mustafa tha se në ditët në vijim do të takojë përfaqësuesit e Listës Serbe për t’i bindur që të kthehen në qeveri. Ai ka folur edhe për bordet e kompanive publike për të cilat premtoi se do të kompletohen së shpejti, derisa ka premtuar edhe angazhim për funksionim më të mirë të sistemit të drejtësisë në vend.

Top Channel