Kryeparlamentarja serbe në Tiranë, Meta: Të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, faktor i rëndësishëm

04/03/2015 00:00

Maja Gojkoviç është e para kryetare e Parlamentit të Serbisë, e cila
viziton Tiranën. Serinë e takimeve në vendin tonë ajo e nisi me
homologun Ilir Meta.

Në përfundim të takimit, Meta tha se kjo vizitë i shërben intensifikimit të mardhënieve Shqipëri-Serbi.

“Do të punojmë akoma më shumë që ky vullnet pozitiv të materializohet në një angazhim edhe më konkret reciprok për avancimin e projekteve madhore, që i shërbejnë ndërlidhjes rajonale, sidomos në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe thithjes së investimeve të huaja.Përsa i përket popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës është e natyrshme që ajo ka një domethënie të veçantë për Shqipërinë dhe për popullin tonë. Dua të ritheksoj se ne e shohim mirëqënien dhe integrimin me të drejta të plota të minoritetit shqiptar në Serbi, si një gur themeltar të rëndësishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, dhe si një urë të fortë bashkëpunimi dhe miqësie midis nesh. Pjesëmarrja gjithnjë e më e madhe e shqiptarëve në vendimmarrjen politike dhe sociale të Serbisë, i shërben konsolidimit të partneritetit rajonal mes dy vendeve tona”, tha Meta.

Zonja Gojkoviç deklaroi se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të përqendrohet në tre çështje; atë ekonomike, marrëdhëniet bilaterale dhe integrimin.

Meqënëse Shqipëria dhe Sebia, – tha zonja Gojkoviç, – ndajnë një aspiratë të përbashkët, aderimin në Bashkimin Europian, të dy komisionet parlamentare të integrimit duhet të intensifikojnë bashkëpunimin.

Kryetarja e Parlamentit të Serbisë u prit edhe nga Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama.

Top Channel