Prishja e rrethimit të katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Kisha: Na cënohet siguria

04/03/2015 00:00

Rrethimi me kangjella i Katedrales së Kishës Autoqefale “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë është hequr pasi kjo hapësirë do të shndërrohet  në një rrugë kalimi për këmbësorët dhe në ambient publik. 

Por, pas nisjes së punës në datën 2 mars për heqjen e këtij rrethimi, ka protestuar Kisha Ortodokse. Sipas Kishës, ky vendim i qeverisë vë në rrezik sigurinë e kishës.  

Hirësi Nikolla, peshkopi i Apollonisë, tha: “Ruajtja e gjithë këtyre ambienteve bëhet pothuajse e pamundur pa pasur një rrethim elementar të jashtëm, veçanërisht kur bie nata dhe në kushtet e mungesës së sigurisë ku jetojmë sot. Këto veprime bien në kundërshtim të hapur me ligjin 1057 të datës 22.01.2009, marrëveshja mes Këshillit të Ministrave dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë që garanton respektimin dhe mbrojtjen e vendeve të shenjta të Kishës Ortodokse. Jemi të detyruar të protestojmë kundër këtyre shkeljeve që plagosin ndjenjat e të krishterëve ortodoksë dhe bashkëjetesën paqësore fetare.”

Sipas Kishës Ortodokse Autoqefale, vendimi i qeverisë është marrë në tetor 2014, por pa informuar Kishën. Qeveria shqiptare ka financuar një projekt me vlerë rreth 113 milionë lekë për rivitalizmin urban të dy shesheve pranë qendrës së kryeqytetit. Një prej tyre është sheshi “Austria” përballë Teatrit të Kukullave, për të cilin proteston dhe Kisha, si dhe sheshi përballë Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Brendshme. Në të dy sheshet do të kryhen punime për rikonstruksionin e tyre, shtrimin me pllaka guri natyral, shtimin e hapësirave të gjelbra, vendosje stolash dhe sistem i ri ndriçimi.

Top Channel