Shqipëria hyn në programin COSME, BE-ja financon ndërmarrjet e vogla

04/03/2015 00:00

Shqipëria i bashkohet programit COSME të Bashkimit Europian për financimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe është vendi i pestë nënshkrues jo anëtar i BE-së, pas Maqedonisë, Malit të Zi, Moldavisë dhe Turqisë.

Marrëveshja e firmosur në Bruksel nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, dhe komisionerja El?bieta Bie?kowska, synon të forcojë mbështetjen dhe konkurrencën për  këto sipërmarrje në union. Programi zgjat deri në vitin 2020 dhe sfidon administratën e vendit kandidat për të përgatitur sipërmarrësit shqiptarë që të jenë të aftë për të aplikuar.

Ministri Ahmetaj theksoi: “Megjithëse shifra është globale, 2.3 miliardë euro për të gjitha vendet, Shqipëria ka pjesën e vet në proporcion. Është sfidë e drejtpërdrejtë për ne që të arrijmë të thithim sa më shumë fonde në ndihmë të sipërmarrjes shqiptare dhe të përgatisim gjithë sipërmarrjen shqiptare që të aplikojë suksesshëm për fondet nga ky program.”

“Qasja për financime mbetet një pengesë e rëndësishme për sipërmarrësit e vegjël e të mesëm”, vlerëson në komunikatën e posaçme për shtyp, menjëherë pas takimit me delegacionin shqiptar, komisionerja polake duke mirëpritur “Shqipërinë në grupin e vendeve përfituese”.  Ajo siguron për “përdorimin efiçent të mundësive për fonde të BE-së, krahas dëgjimit të ideve për reduktimin e mëtejshëm të barrierave dhe promovimit të këtyre ndërmarrjeve”.

Ndërkohë që përvetësimi i të ashtuquajturës “ekonomi e dijes” do të shërbente për kalimin në fazën tjetër të zhvillimit, sipas ministrit Ahmetaj, i cili bisedoi dhe me drejtorin e përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson, dhe dy vartësit e tij që merren me Shqipërinë, Jean Eric Paquet dhe Vasilis Maragos.

Mes Brukselit dhe Tiranës pritet të nisin tryezat e shpeshta të karakterit teknik dhe marrëveshja parashikon hyrjen në fuqi pas ratifikimit nga Parlamenti.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel