Thirrja e Putinit: T’u jepet fund vrasjeve politike!

04/03/2015 00:00

Në sfondin e jehonës ende të pafashitur të ekzekutimit të njërit prej liderëve të opozitës në Rusi, Vladimir Putin bën thirrje për fundin e vrasjeve të turpshme politike në vend dhe këmbëngul që vëmendja të përqendrohet më së shumti tek krimet e profilit të lartë.

Të paktën 55 mijë vetë u mblodhën të dielën për marshimin-homazh në nder të Boris Nemtsovit, të qëlluar për vdekje mbrëmjen e së premtes, përpara mureve të Kremlinit. Motivi i ngjarjes vazhdon të mbetet i pazbardhur, ndërsa ndihmësit e Putinit i hodhën poshtë që në fillim spekullimet mbi përfshirjen e tij.

“Është e domosdoshme që Rusia më në fund të shpëtojë nga turpi dhe tragjeditë si kjo që përjetuam së fundi. E kam fjalën për vrasjen sfiduese të Boris Nemtsovit mu në zemër të kryeqytetit”, tha Putini.
 
Edhe pse menjëherë pas episodit, Putini u angazhua të mbikqyrte personalisht hetimin dhe siguroi se do të bëhet gjithçka që agresorët të dalin përpara drejtësisë, deri tani shumë pak progres është bërë në drejtim të identifikimit të tyre.

I pyetur nga reporterët nëse autoritetet kanë ndonjë person në vëmendje, kreu i shërbimit të sigurisë FSB, Alexander Bortnikov, u përgjigj shumë vakët: “Epo, të dyshuar ka gjithmonë”.

Nemtsov, i cili ishte duke planifikuar një marshim kundër konfliktit në Ukrainën lindore, pati deklaruar në një intervistë të kohëve të fundit se druhej që Putini do ta hiqte qafe për shkak të kundërshtimit të tij ndaj luftës. Ekzekutimi i 55-vjeçarit i dha një grusht të fortë lëvizjes opozitare në Rusi. Megjithatë, ajo edhe përpara ka qenë tepër e margjinalizuar dhe pa asnjë figurë mjaftueshëm të fuqishme sa për t’u kthyer në kërcënim real për pushtetin e Vladimir Putinit.

Top Channel