PDK e LDK përplasje për Fondit për Investim dhe Punësim

04/03/2015 00:00

Partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë, Partia Demokratike e
Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë shfaqur mospajtime rreth
formës së krijimit të Fondit për Investim dhe Punësim.

Dallimet mes partnerëve të koalicionit i kanë prezantuar Hajredin Kuçi nga PDK në njërën anë, ndërsa në anën tjetër Kujtim Shala dhe Avdulla Hoti nga LDK.

“Fondi për Investim dhe Punësim do t’i ndihmojë rritjes ekonomike të Kosovës, krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimit të qasjes në financa me kushte të volitshme për sipërmarrësit e rinj, ndërmarrjet e vogra të mesme si dhe korporatat. Komisioni do të ketë këtë përbërje: Këshilltari politik i kryeministrit i cili do të jetë kryesues, ndërsa anëytarë do të jenë, një përfaqësues nga sekretariati i qeverisë, një përfaqësues nga Zyra ligjore, një përfaqsues nga zyra për planifikim strategjik”, tha Kujtim Shala, zëvendëskryeministër.   

“Mendoj që këtu duhet të kemi tri çështje që duhet t’i përcaktojmë sot. E para duhet ta quajmë Komisioni për Themelimin e Fondit, jo për punësim, po për themelimin dhe ky komision për themelimin e fondit për investim dhe punësim apo fondi zhvillimor pastaj vlerëson çfarë dokumentesh i duhen. E dyta, mendoj te niveli i përfaqësimit duhet të përfaqësohet dhe të udhëhiqet nga kryeministri sepse është fondi shumë me rëndësi dhe edhe ministrat përkatës duhet të jenë aty e jo vetëm stafi mbështetës. Dhe e treta mendoj se niveli i përfaqësimit duhet të jetë qeveritar dhe jashtë qeveritar”, theksoi ministri i Drejtësisë, Hajderin Kuçi.

“Mendoj që ne është mirë ta kemi këtë koncept dokument përpara për të ditë rrugën nga po shkojmë. Pra formën e ligjit, institucionet që do të involvohen, donatorët që kanë me kontribu, përpara se ne formalisht ta shohim. Është komision teknik profesional që vjen para qeverisë me një propozim për qasjen që duhet të ndjekim dhe mandej siç po propozon ministri i drejtësisë ne mund ta funksionalizojmë plotësisht”, tha Avdulla Hoti, ministër i Financave.

I ndodhur në mes të mospajtimeve, Kryeministri Isa Mustafa mbylli mikrofonet ne sallën e mbledhjeve. Pas debatit, Qeveria vendosi që njëherë vetëm të hartohet koncept dokumenti e pastaj të vendoset për krijimin e fondit në një mbledhje tjetër.

Gjatë mbledhje zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, e ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit që do të mbahet në Kosovë më 25 dhe 26 mars është ftuar edhe ministri i Jashtëm i Serbisë.

Nga ana tjetër,  ministri i Financave Avdulla Hoti ka paraqitur një kusht për faljen e borxheve publike që nga 2008-a . Sipas tij falja e borxheve deri në fund të vitit 2008 do të jetë e kushtëzuar me shlyerjen e detyrimeve nga viti 2009 deri në vitin 2014.

 

Top Channel