Fati i kritikëve të Putinit

04/03/2015 00:00

Boris Nemtsov nuk është kritiku i vetëm i Vladimir Putinit që ka një fund të hidhur. Por, në krahasim me atë çfarë ndodhi mbrëmjen e së premtes në urën përballë Kremlinit, manjati i naftës Mikail Kodorkosvki duhet ta konsiderojë veten me fat: 10 vjet prapa hekurave nën akuzën e evazionit fiskal dhe mashtrimit, e gjithë pasuria e konfiskuar, por të paktën është gjallë dhe sot jeton jashtë kufijve.

Zëri i fuqishëm anti-korrupsionit, Aleksei Navalni, e ka provuar dhe ai burgun, po me pretendimet e mashtrimit dhe zhvatjes.

Një tjetër biznesmen i njohur, Boris Berezovksi, u përpoq ta sfidonte shefin e Kremlinit me akuzën e hapur të vrasjes së Aleksander Litvinenkos në vitin 2006. Në 2013-n, Berezovski u gjet i vdekur me lakun të shtrënguar në fyt. Mjeku ligjor nuk e përcaktoi dot nëse ishte vetëvrasje apo jo.

Vetë ish-agjenti Litvinenko do të ndërronte jetë në Londër, i helmuar nga një dozë vdekjeprurëse poloniumi radioaktiv. Substanca iu hodh në filxhanin e çajit gjatë takimit me dy ish-oficerë të shërbimit sekret rus. Ai këmbëngulte se pikërisht ky shërbim ishte orkestruesi i shpërthimeve me bomba të 1999-s në Rusi që morën me qindra jetë njerëzish e u shërbyen si motiv për ndërhyrjen e Moskës në Çeçeni në fund të atij viti.

Ana Politkovskaja, kritike e hapur e kësaj lufte, u qëllua katër herë me armë zjarri përpara apartamentit të saj në Moskë në vitin 2006.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Natalia Estemirova, u rrëmbye përpara shtëpisë së saj në Çeçeni korrikun e vitit 2009 dhe u gjet e vdekur po atë ditë.

Avokati Stanislav Markelov, përfaqësues i familjes së një gruaje çeçene të ekzekutuar nga një kolonel rus, u qëllua për vdekje në vitin 2009 e bashkë me të, ekzekutorët vranë edhe Anastasia Baburovën, e cila u përpoq të ndërhynte.

Top Channel