Dëshmitari: Më paguan për të luajtur rolin sipas versionit të Tom Doshit

04/03/2015 00:00

Ka marrë një kthesë tjetër historia e denoncimit “bombë” të deputetit Tom Doshi, që tronditi politikën shqiptare. Personi i arrestuar si atentatori i pretenduar ndaj Doshit dhe Fufit, Durim Bami, në deshmitë e para ka hedhur poshtë versionin e deputetit duke pohuar madje se ai është paguar për të luajtuar këtë rol.

Bami i ka mohuar të gjitha thëniet e tij në videon që deputeti Tom Doshi ka folur dy ditë më parë dhe për të cilën thotë se e ka si provë.

Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se, përpara grupit të prokurorëve, Bami ka deklaruar se është shpërblyer nga deputeti Tom Doshi me një automjet tip “Audi” e blinduar, që të depononte në polici se kishte marrë një ofertë prej 500 mijë eurosh për të ekzekutuar dy deputetët, një të Partisë Demokratike dhe një të Partisë Socialiste.

Sipas Bamit, ai duhet të përdorte emrat e shokëve të tij, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë, për të sajuar një histori të tillë. Durim Bami ka shpjeguar se, 10 ditë më parë ai ka larguar edhe familjen jashtë vendit, ndërkohë që vetë ka tentuar të largohej përmes pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit, pikërisht ditën që u arrestua në kufi nga policia.

E gjithë deklarata e tij, thanë burimet, është filmuar nga grupi i hetimit, ndërkohë që nëse të enjten në Prokurorinë e Krimeve të Rënda do të paraqitet për t’u pyetur deputeti Tom Doshi, ata të dy do të ballafaqohen.

Bami u përpoq të largohej nga vendi ditën e arrestimit e tij, por u kap në kufirin me Malin e Zi. Ndërkohë rezulton se daljet më të shpeshta të tij jashtë vendit janë nëpërmjet pikave kufitare të Muriqanit e të Hanit të Hotit.

Prokuroria e Përgjithshme pohon se pasi e ka mbajtur të shoqëruar në kuadër të hetimeve të nisura për dyshimet se është konsumuar vepra e “vrasjes së mbetur në tentativë”, është urdhëruar ndalimi i Durim Bamit si person që ka interes për hetimet.

Top Channel