Kreditimi futet sërish në ngërç, huatë janë bllokuar në 3 muajt e fundit

04/03/2015 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare nga sistemi bankar kanë zbehur shpresat për rigjallërimin e kredisë në ekonomi. Sipas shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë në tre muajt e fundit huatë e reja për biznesin dhe individët janë bllokuar sërish, ose të paktën kanë qenë më të vogla se maturimet. Kjo ka bërë që stoku i kredisë të ulet nga 561.4 miliardë lekë që ishte në nëntor në 557.6 miliarde në janar.

Pas dy vitesh ngadalësimi të vazhdueshëm, kredia për ekonominë dha sinjale rigjallërimi në korrik të vitit të kaluar kur trendi negativ u përmbys dhe kreditimi u rikthye në territor pozitiv. Shumë ekspertë të sektorit bankar e cilësuan këtë si një pikë kthese për kredinë duke parashikuar rritjen e qëndrueshme të huave.

Por  të dhënat tregojnë se kjo nuk ka ndodhur. Sipas Bankës së Shqipërisë në 6 muajt e fundit rritja e kredisë për ekonominë ka qenë gati zero duke rrëzuar pritshmëritë për gjallërimin e aktivitetit kreditues.

Edhe pse në terma vjetorë stoku i huasë për ekonominë në janar ishte 2.4 për qind më i lartë se një vit më parë, kjo mbetet një rritje anemike dhe siç tregojnë shifrat e paqëndrueshme.

Pak ditë më parë Fondi Monetar parlajmëroi se stanjacioni i kredisë është një nga  rreziqet më të mëdha për ekonominë shqiptare duke rrezikuar ta zhysë atë në një periudhë disavjeçare rritjeje të ngadaltë.

Të paktën deri tani ritmet e kredisë mbeten thellësisht  zhgënjyese. Por ekspertët shpresojnë që ky trend të ndryshojë njëkohësisht me zbutjen e kredive të këqija, të cilat në tremujorin e fundit ranë me 2.2 përqind.

Top Channel