Fillon shqyrtimi i projektligjit për hapjen e dosjeve, mungon opozita

04/03/2015 00:00

Pa praninë e deputetëve të opozitës, Komisioni parlamentar i Ligjeve
filloi të mërkurën shqyrtimin e projektligjit për hapjen e dosjeve.

“Nuk është dinjitoze që për një parti sot në opozitë, por që për 24-25 vite ka patur kauzë të përndjekurit, dekomunistizimin dhe hapjen e dosjeve, mos të ishte ky rasti i sotëm, as i 25 viteve, ku gjithmonë i ka bërë bisht kësaj të vërtete”, tha pas largimit të deputetëve të opozitës, ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj.

Ministri Veliaj sqaroi se ky eshte nje projektligji i mbeshtetur mbi transparencen.

“Ky është një ligj ekskluziv transparence. Nëse ka një element tipik lustracioni është vetëm në zgjedhjen e Komisionerëve. 5 komisionerë, sigurisht që nuk duhet të kenë asnjë lidhje me të kaluarën, me sigurimin e Shtetit, sepse duhet të jenë garantët apolitikë të këtij procesi, të këtij Autoriteti të ri, por Kushtetuta e Shqipërisë nuk i ndalon askujt të drejtën të zgjidhet, të zgjedhë, të punojë, të ndërrojë vendin e punës dhe gjëra të kësaj antyre. Bëhet fjalë për një ligj të transparencës dhe jo një ligj të dënimeve kolektive, çka do të siguronin rrëzimin e menjëhershëm të këtij ligji”, tha Veliaj.

Por, pak përpara se të niste Komisioni, deputetja Mesila Doda, e cila mbështet projektligjin e hapjes së dosjeve duke kryer edhe lustracionin, tha se nuk mund të mbështesë këtë draft të Qeverisë, ndaj së bashku me shoqërinë civile do të ndërmarrin nismën për hapjen e një referendumi.

“Hartuesit e ligjit nuk mund të jenë thjesht kukullat e ish-sekretarëve të Rinisë, ish-byroistëve të dikurshëm, ish-prokurorëve. Do të duhet që të jenë ata personat, të cilët do të duhet të përballen me variantin që kanë sjellë në Parlament dhe kurrsesi deputetët, ish-studentë të dhjetorit nuk do të bëhen pjesë e kësaj farse për të hequr hartuesit e vërtetë dhe për të vënë përpara një proces fars”, tha Doda.

“Flitet për një ligj në njërën anë, që merret vetëm me bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe ne ndërkohë kemi këtë ligj, por duke i shtuar pjesën e lustracionit. Lustracioni janë ata njerëz, të cilët kanë bërë politikëbërjen shqiptare në periudhën e diktaturës”, tha Elsa Ballauri.

“Nuk bëhet fjalë për të shartuar mollë me portokalle, këtu bëhet fjalë për të shartuar një proces ligjor që respekton Kushtetutën me një proces amator, antikushtetues. Në vende lindore, qoftë edhe të Ballkanit, që sot janë vende të Bashkimit Europian, ligje ose shartime ligjesh me elementë të tillë kanë shërbyer vetëm për hakmarrje politike, për eliminim politik kundërshtarësh, për përjashtim nga drejtësia të funksionarëve, që janë përfshirë në procese të rëndësishme, dhe për larje hesapesh të politikës së momentit. Nuk kemi asnjë lidhje me një përvojë të tillë”, tha Veliaj.

Ministri Veliaj tha se nëse Qeveria shqiptare do të propozonte një projektligj, i cili përmban elementë antikushtetues, atëhere ai nuk do të ekzekutohej asnjëherë.

Top Channel