Kosovë, sekuestrohet heroinë në Gjilan

04/03/2015 00:00

Policia e Kosovës njofton se ka bllokuar mbi 1 kg drogë të llojit heorinë në rajonin e Gjilanit. Sekuestrimi  ka ndodhur dy ditë më parë, pas informatave që ka marrë policia përmes rrugëve operative se personi i dyshuar, me iniciale E.L, me një automjet me targa të kosovës ishte duke bërë transportimin e lëndës narkotike.

Hetuesit e seksionit të antidrogës që vepron në Gjilan e kanë ndaluar automjetin dhe gjatë kontrollit të saj janë gjetur dy qese që dyshohej se përmbanin substancë narkotike të llojit heroinë.

“Me urdhër të Gjykatësit të Proçedurës Paraprake janë kontrolluar shtëpia dhe objekte të tjera në fshatin Hogosht. Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur 4 pako me lëndë eksplozive. Më pas është kontrolluar edhe një shtëpi e pabanuar në fshatin Çerakovc të Kamenicës, ku janë gjetur në një kovë plastike 3 paketime me substancë narkotike të llojit heroinë, të cilat janë fotografuar dhe sekuestruar”, bën të ditur policia.

Pas kthimit në stacionin policor është bërë matja e substancës narkotike me peshore, e cila ka peshuar 1 kg e 370 gramë dhe që ka rezultuar pozitive në testin e drogës. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është në gjendje arresti për 48 orë.

Top Channel