Meksikë, kapet kreu i kartelit famëkeq Los Zetas

04/03/2015 00:00

Lideri i padiskutueshëm i një prej organizatave kriminale më mizore të Meksikës, Los Zetas, është arrestuar nga forcat e sigurisë të këtij vendi.

Omar Trevino Morales, i njohur ndryshe si Z-42, u arrestua këtë të mërkurë në qytetin Monterrei, në veri të shtetit Nuevo Leon, bëri të ditur policia lokale.

Morales thuhet se ka drejtuar kartelin që prej vitit 2013, kur u arrestua vëllai i tij Miguel.

Prangosja vjen pak ditë pasi policia meksikane arrestopi një tjetër baron të drogës, Servando “La Tuta” Gomez. Gomez ishte lideri i kartelit Kalorësit Templarë.

Omar Trevino Morales kërkohej përveç se në Meksikë edhe në Shtetet e Bashkuara për trafik droge, pengmarrje dhe vrasje.

Mediat meksikane, të cilat citojnë autoritetet, raportojnë se Z-42 u arrestua në lagjen periferike San Pedro Garza Garcia të Monterreit.

Karteli kriminal Los Zetas filloi aktivitetet e tij në fillim të viteve ’90 si krahu i armatosur i një tjetër organizate të plotfuqishme, Karteli i Gjirit. Grupi përbëhej nga dezertorë të një njësie ushtarake elitë dhe shumë shpejt u bë i njohur për dhunën e tij brutale.

Zeta-t u përfshinë në një luftë të ashpër pikërisht me “punëdhënësin” e tyre të mëparshëm, kryesisht për kontrollin e Tamaulipas, një nyje jetike për çdo lloj trafiku, nga droga tek klandestinët.

Kjo, pasi karteli është aktiv jo vetëm në narkotrafik, por edhe në kontrabandën e naftës, gjobëvënie në shkallë të lartë, si edhe ndaj klandestinëve që drejtohen për në SHBA.

Top Channel