Kosovë, protestë e mjekëve dhe profesorëve

04/03/2015 00:00

Mjekë, profesorë, punonjës të sektorëve të ndryshëm civilë dhe studentë protestuan të mërkurën për një orë para Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ata kërkuan sërish autonomi territoriale të institucioneve publike shëndetësore, zbatimin e kontratës kolektive, rritjen e pagave sipas premtimeve elektorale, funksionalizmin e Odave të Mjekëve dhe mbrojtjen e profesionistëve.

Kryetari i sindikatës, Blerim Syla tha se kërkesat e tyre janë të vogla e legjitime, ndaj do të insistojnë deri në realizmin e tyre. Protestuesit i dhanë kohë 10 ditë Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë që të marrin masa karshi këtyre kërkesave.

Protestës iu bashkua edhe Oda e Mjekëve të Kosovës. Kryetarja Zylfije Hundozi tha se Oda është e gatshme t’i luftojë të gjitha dukuritë negative në shoqëri. Ajo kërkoi nga qeveria që sa më parë të bëhet funksionalizmi i strukturës që drejton.

“Funksionalizimi urgjent është mëse i nevojshëm, sepse përditë po mëpërkëmbët dinjiteti i mjekëve me hetime kolektive dhe arrestime spektakolare, të cilat kanë dëmtuar imazhin e mjekut”, tha Hundozi.

Oda e Mjekëve kërkoi nga qeveria që t’iu krijojë kushte për arsimim profesional, që sipas tyre, është edukimi që aplikohet në tërë botën dhe mundëson zhvillimin e mjekësisë moderne.

Top Channel