Kosovë, masa ndaj diplomave falso në arsim

04/03/2015 00:00

Ministria e Arsimit në Kosovë paralajmëron se do të marrë masa lidhur me skandalin e diplomave false në Universitetin e shkencave të aplikuara të biznesit në Pejë.

Reagimi i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami erdhi pas publikimit të një artikulli në gazetën “Zëri”, se qindra studentë  të diplomuar nga ky universitet nuk figurojnë fare në arkivat e institucionit si studentë. Kjo çështje po hetohet edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.

“Kjo çështje do të shqyrtohet nga ministria, ne do të kërkojmë inspektim dhe do të marrim të gjitha masat që aty të vendoset ligji, rendi dhe rregulli. Kështu që nuk do të ketë asnjë kompromis”, deklaroi Bajrami.
Këto komente ministri Bajrami i bëri pas takimit me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu. Bajrami dhe Zejnullahu diskutuan për reformat qe duhen të merren me qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimit në nivel vendi.

“Ramë dakord që të koordinohemi jashtëzakonisht në përpjekjet e përbashkëta për ngritjen e cilësisë së mësimit në universitet. Gjetëm një pajtim të plotë me rektorin se elementare dhe jetike tek reforma akademike është ngritja e cilësisë së mësimdhënës në universitet, monitorimi i cilësisë, vendosja e një sistemi të përhershëm të monitorimit të cilësisë dhe vlerësimit të përformancës së profesorëve. Në këtë drejtim, ne do të jemi mbështetës ndaj kërkesave të studentëve”, deklaroi Bajrami.

“Takimi kishte të bënte me punën që po bën ministria dhe bordi drejtues i Universitetit të Prishtinës për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë në përgjithësi, por me theks të veçantë në Universitetin e Prishtinës, si një ndër bartësit kryesorë të arsimit të lartë në Kosovë. Ramë dakord për të gjitha ato hapa që duhet të ndërmarrim, duke filluar nga hartimi i ligjit, i cili është në fazën e përcaktimit të ekspertizës, nga caktimi i datave të debateve që duhet të organizohen me qëllim të përfitimit të ideve, të cilat në të ardhmen duhet të jenë të dokumentuara”, tha Zejnullahu nga ana tjetër.

Sa i takon projektligjit për arsimin e lartë, nga dy zyrtarët u premtua konsensus i gjërë. Sipas një komunikate të për shtyp të Ministrisë së Arsimit, ministri i ka dhënë mbështetje të plotë bordit drejtues dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës që të vazhdojë të vendosë kritere akademike.

Ministria po ashtu inkurajoji solidaritetin që ky universitet po tregon në raport me universitetetet e reja publike, duke i mbështetur ato me staf akademik dhe kuadro deri në krijimin e strukture të qëndrueshme.

Top Channel