Negociatat me Iranin, Kerry: Duke kërkuar kapitullimin e Republikës Islamike nuk arrijmë marrëveshje

04/03/2015 00:00

Duke kërkuar thjesht kapitullimin e Iranit, nuk do të mund të arrijmë një marrëveshje bërthamore me Republikën Islamike, ka bërë të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë së mërkurës. “Ka ende boshllëqe të rëndësishme dhe zgjedhje të rëndësishme që duhet të bëhen”, tha Kerry për reporterët, pas 10 orë bisedimeve me Zarif.

Vetëm një ditë pas paralajmërimit të bujshëm të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Kongresin amerikan, mbi “gabimin tepër serioz” që po bëhej me marrëveshjen që po negociohet me Iranin, Sekretari amerikan i Shtetit dhe ministri i Jashtëm iranian përfunduan diskutimet treditore mbi programin bërthamor të Teheranit.

Kryediplomati John Kerry dhe iraniani Javad Zarif kanë negociuar për më shumë se 10 orë që prej së hënës në qytetin bregliqenor zviceran të Montreux, me shpresën për të hartuar një marrëveshje kuadër deri në fund të muajit mars.

“Kemi bërë shumë progres, por ka ende shumë sfida përpara”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, për reporterët që kanë udhëtuar së bashku me Kerryn. “Konkluzioni është se ende nuk kemi asnjë marrëveshje për të njoftuar për cilindo, por kemi pasur një punë intensive dhe shumë të vështirë, duke bërë disi progres, por edhe kemi sfida të vështira për të zgjidhur”, tha zyrtari. “Presim që së bashku me iranianët të ritakohemi në diskutime bilaterale, por edhe me praninë e Bashkimit Europian, më 15 mars, pavarësisht se vendi i takimit mbetet për t’u konfirmuar. Me shumë mundësi do të jetë Gjeneva”.

I pyetur nëse mendonte se kanë arritur progres në diskutime, Zarif u tha reporterëve se “kemi bërë, por ka ende punë për të bërë”.

Gjithsesi, fjalimi kontroversial i Netanyahut përpara Kongresit amerikan gjatë së martës, ku ai kritikoi ashpër përpjekjet diplomatike për të zgjidhur ngërçin me Iranin, mund ta bëjë edhe më të vështirë për administratën Obama për të prezantuar një marrëveshje të mundshme në Amerikë.

Negociatorja amerikan, Wendy Sherman, do të informojë së shpejti Izraelin mbi bisedimet, ndërsa Kerry do të takohet me ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë të shtunën në Paris, tha më tej zyrtari amerikan.

Netanyahu tha ditën e djeshme se, në vend që t’i ndalohet Iranit mundësia për të prodhuar armë bërthamore, marrëveshja që po negociohet “mund t’i garantojë” hapjen e rrugës Iranit për ta pasur bombën bërthamore në një ditë të afërme, duke e vendosur Izraelin – por jo vetëm, edhe rajonin në përgjithësi – në rrezikshmëri të lartë, ashtu sikurse dhe interesat e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan Barack Obama u përgjigj brenda pak orësh nga fjalimi i tij, duke thënë se Netanyahu nuk dha asnjë “alternativë konkrete dhe të besueshme” ndaj kursit aktual të negociatave.

Irani dhe fuqitë botërore po përpiqen të arrijnë një marrëveshje kuadër deri në fund të këtij muaji, pavarësisht mosbesimit të Izraelit, kongresmenëve republikanë të SHBA-ve dhe disa shteteve të Gjirit Arabik. Një akord i tillë do të ndiqej më pas nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’u nënshkruar brenda fundit të qershorit. Synimi i negociatave është të bindet Irani të frenojë programin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve që kanë goditur ekonominë iraniane të mbështetur kryesisht në eksportin e naftës.

Top Channel