Prokuroria mban në arrest Durim Bamin: Me rëndësi për hetimin

04/03/2015 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka firmosur urdhër-arrestin për të ndaluarin Durim Bami, të cilin e vlerëson si person me rëndësi të veçantë për hetimin dhe verifikimin e akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi për tentativë vrasjeje.

Emri i Durim Bamit doli pas deklaratave të deputetit Tom Doshi, sipas të cilit 36-vjeçari Bami ishte paguar 600 mijë euro që të eliminonte fizikisht atë dhe deputetin demokrat, Mëhill Fufi.

Burime nga Prokuroria pohojnë se gjatë dëshmisë së tij ditën e mërkurë Bami ka deklaruar se është paguar nga Doshi për të thënë të kundërtën e ngjarjeve dhe fakteve të bëra publike ditët e fundit. Sipas Bamit, e gjitha kjo ka qenë një histori e sajuar nga Doshi për të akuzuar kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

 Deputeti Tom Doshi ka deklaruar se do të paraqitet në prokurori, ku do të dorëzojë provat që disponon për të vërtetuat tentativën e vrasjes së tij.

Top Channel