Ilir Beqiri dhe kujtesa e tij e jashtëzakonshme

04/03/2015 00:00

Nëse ka diçka që ose të nxjerr nga situata, ose të lë totalisht në baltë, kjo është kujtesa. Shpesh, kujtdo prej nesh mund t’i ketë ndodhur që të harrojë një prej gjërave më të rëndësishme në një moment të caktuar. Asnjë prej nesh nuk mund ta dijë konkretisht se çfarë ndodh me kujtesën tonë. Ka prej atyre, që mund të themi me plotë gojë se janë me fat, që kanë një kujtesë të jashtëzakonshme, si për shembull, mjafton të shohin njëherë diçka dhe nuk e harrojnë kurrë atë, por ka edhe nga ata që rëndom quhen “harraqë”.

Por, a ka njerëz që lindin të bekuar me një kujtesë që të lë pa fjalë? Po, ka dhe njëri prej tyre ka qenë i ftuar në “Pasdite në Top Channel”. Atë e njihni të gjithë, madje edhe dhuntinë e tij… Ilir Beqiri, një prej pjesëmarrësve të “Big Brother 6”, i cili gjithkujt iu prezantua fillimisht si njeriu që dinte përmendësh 1000 tekste këngësh.

TCH: Besoj se je i vetëdijshëm prej kohësh, që ke një kujtesë për t’u pasur zili. Kur e ke vënë re diçka të tillë?

Ilir Beqiri: Shumë vite më parë, kur kam qenë në Itali, shkova diku për një intervistë pune. Vajza që më priti atje, ku unë do të dorëzoja një CV timen, po ma bënte shumë të vështirë atë moment. Më pyeti për disa gjuhë, në i dija apo jo, dhe në fund më kërkoi: a flet rusisht? Ju përgjigja duke i thënë jo, sepse në Firence flasin vetëm anglisht. E duke e parë që një shitëse e thjeshtë po mundohej të më shmangte, për të mos pasur konkurrencë, iu ktheva t’i thoja: Do të kthehem pas dy-tre vitesh këtu përpara teje dhe do ‘tallem’ me ty me anglishten time të mirë. Kurset në Itali kushtonin shumë shtrenjtë, rreth 30-40 euro për orë, dhe nga anglishtja unë dija gjëra të përgjithshme, nga çka kishim mësuar në fillore apo 8-vjeçare. Ndaj mendova të shfrytëzoja pasionin tim për muzikën, në mënyrë që të mësoja edhe anglishten nëpërmjet këtij pasioni. Do të ishte diçka pa kosto, madje që e merr me qejf, pasi ndonjëherë kur mëson me libra të duket sikur e ke me detyrim, ndërsa këtë që zgjodha do ta bëja me pasion. Thjesht nisa të mësoja tekstet e këngëve, pa ia ditur kuptimin, por ashtu siç unë i perceptoja. Fjalët ndoshta nuk ishin të shprehura saktë, por me kalimin e kohës arrita të kuptoja edhe kuptimin e tyre dhe u kthyen në diçka të pandashme nga njëra-tjetra. Nuk mësoja dot anglishten pa muzikën, dhe as këngët pa anglishten. Mendoj se vetë kujtesa funksionon në këtë mënyrë, duke krijuar binome në atë rrjetin e gjerë, ku çdo gjë që fiksohet funksionon në sajë të diçkaje tjetër. Ju më pyetët edhe se përse nuk e kujtonit se ku e parkoni makinën…

TCH: Pse nuk më kujtohet mua, se ku e parkoj makinën?…

Ilir Beqiri: Me aq sa kam lexuar dhe studiuar unë në lidhje me këtë, ty të mbetet pjesë e kujtesës afatshkurtër vendi se ku parkon makinën dhe ti nuk e lidh këtë me diçka shumë të fuqishme apo me impakt të rëndësishëm në veten tënde. Me pak fjalë e neglizhon. Besoj se truri i njeriut ka nevojë për një impakt tepër të fuqishëm për të bërë të mundur ruajtjen në kujtesë të një diçkaje apo një veprimi.

TCH: Gjithsesi, kur e kuptove ti se kjo kishte të bënte me kujtesën. Ishte diçka e pavullnetshme, apo diçka që ti nise ta ushtroje?

Ilir Beqiri: Ishte diçka e vullnetshme në fakt, sepse pas nismës që kisha marrë për mësimin e anglishtes, për të ecur më përpara në atë qytet, vura re se ishte diçka që po më pëlqente dhe u kthye në një sfidë në vetëvete që po më tërhiqte. Sigurisht që më pëlqente edhe pak vetja, kur e dëgjoja sesi këndoja (qesh). Nuk e quaj veten këngëtar, por më pëlqente vetja si anglishtfolës dhe duke qenë se praktika është nëna e dijes, mendoj se kujtesa vetëm në këtë mënyrë mund të mbahet gjallë. I vura detyrë vetes të mësoja nga një këngë çdo ditë, një sfidë me veten time. Pastaj nisa të përgjoja çiftet, sepse vendosesha nëpër pika të ndryshme të qytetit për të dëgjuar anglishtfolësit, veçanërisht ata që e kishin gjuhën e mëmës. I dëgjoja që të më rrihej veshi me theksin e tyre. E gjitha kjo krijoi atë rrjetin e brendshëm që nuk më linte më pas të tërhiqesha. Nisa më pas të mësoja tekste më të vështira, dialektore, apo edhe atë që përdorin komuniteti me ngjyrë në Amerikë, që s’ka të bëjë fare me anglishten, por që mua më ngacmonte. Kam pasur lidhje gjithashtu edhe me profesorë shumë të mirë të anglishtes, të cilët më kanë thënë se nëse doja të isha shumë i rrjedhshëm në këtë gjuhë, duhet të praktikoja një fjalë me 5 rrokje çdo ditë. Këtë bëja edhe unë, lundroja në internet, gjeja këto fjalë 5-rrokëshe dhe i praktikoja gjatë ditës. Por kjo bëhej instiktivisht, kur kujtohesha, jo duke ia vënë detyrë vetes.

TCH: E ke sfiduar ndonjëherë veten për sa i përket kujtesës, përveç teksteve të këngëve, për të kuptuar sesi funksionon kujtesa jote dhe deri ku arrin ajo?

Ilir Beqiri: Nga vetëvlerësimi që i bëj qenies sime, mendoj se unë kam një kujtesë fotografike. Mbaj mend një bisedë që kam pasur me profesoren e anglishtes në klasën e shtatë, e cila ma ka vënë në dukje këtë gjë. Na pyeti të gjithëve se çfarë mendonim kur mësonim? Iu përgjigja duke i thënë se çdo lloj fjale përpiqesha t’i bashkëngjisja një imazh. Gjithnjë kështu veproj, sa herë dua të mos harroj ndonjë fjalë, por nuk ndodh e njëjta gjë me numrat. Jam i mirë të paktën në memorizimin e teksteve të këngëve, sepse e bëj me pasion, dhe me mendimet që i transformoj në imazhe. Sado absurde të jetë diçka që më vjen ndërmend apo para syve, përpiqem t’i jap një lloj imazhi.

E nëse ende mund të ketë nga ata që mendojnë se është ekzagjeruar me gjithçka është folur në studion e “Pasdite në Top Channel” gjatë intervistës me moderatoren Jonida Shehu, Iliri kaloi edhe disa teste të shkurtra me disa tekste këngësh, në të cilat nuk dështoi në asnjë…

TCH: Nëse mund të tregohesh i sinqertë, na thuaj kur je bllokuar ti me kujtesën? Thuajse të gjithëve iu ndodh ndonjëherë… Kur të ka lënë kujtesa në baltë, ngaqë nuk e ke ushtruar?

Ilir Beqiri: Ka qenë një natë kur isha kthyer nga Italia, madje kisha dalë edhe nga Big Brother, gjatë të cilit isha konsumuar disi mendërisht, po përpiqesha të kujtoja fjalën jastëk në italisht. Në momentin që u shtriva në krevat, nuk e di si më shkoi mëndja këtu, por kështu ndoshta funksionon truri… të betohem se kam qëndruar gjithë natën, vetëm e vetëm nga inati me veten se përse nuk po e kujtoja dot, madje nuk kam zgjuar as të dashurën dhe as nuk shkova në kompjuter për ta gjetur, dhe vetëm në 7 të mëngjesit e kam kujtuar. E ngatërroja gjatë gjithë këtij mundimi me fjalën sheqer (zucchero). Në atë moment mund të them se kam ngrënë veten me dhëmbë dhe mendoja me veten se çfarë më kishte ndodhur.

Top Channel