Reagon Kuliçaj: Deklaratat e Tahirit të neveritshme, s’jam përfshirë në asnjë komplot

04/03/2015 00:00

Ish-nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj ka reaguar mbrëmjen e së mërkurës në lidhje me deklaratën e ministrit të Brendshëm, që përmendte emrin e tij si të përfshirë në organizimin e një vrasjeje.

“Hedh poshtë me neveri dhe përbuzje çdo përpjekje për implikimin tim në këtë inskenim, të bërë nga zoti Doshi apo persona të tjerë. Jam i hapur për çdo lloj hetimi apo verifikimi që mund të bëhet nga Prokuroria dhe organe të tjera të zbatimit të ligjit dhe garantoj bashkëpunimin tim në interes të sqarimit të së vërtetës”, ka deklaruar Kuliçaj përmes një njoftimi për shtyp.

Në lidhje me personat e përmendur nga ministri Tahiri si të përfshirë në këtë komplot, ish-oficeri i lartë i policisë ka sqaruar se me dy prej tyre, konkretisht shtetasit Fatjon Skënderi dhe Ylli Xhaxhollari, nuk ka pasur asnjë lidhje dhe asnjë llojë komunikimi.

Sa i takon personit tjetër, Ymer Lala, Kuliçaj ka saktësuar se, njohja e tij me këtë person lidhet vetëm për shkak të detyrës që ai ka kryer  në Policinë e Shtetit.

“Ndërsa me shtetasin Agim Rama kam njohje dhe marrëdhenie korrekte shoqërore. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se mund të kem mbi një vit që nuk e kami takuar dhe nuk kam patur asnjë komunikim telefonik me të”, ka bërë të ditur Kuliçaj.

“Me prokurorin Eugen Beçi kam patur marrëdhënie pune për shkak të detyrave që kam kryer në Policinë e Shtetit. Edhe pas largimit tim kemi ruajtur marrëdhenie shoqërore dhe jemi takuar në disa raste në vende të ndryshme publike, përfshirë edhe lokalin ‘Vivas’”, ka sqaruar më tej ish-numri dy i uniformave blu.

Sipas tij, e gjithë kjo situatë është mbarsur nga moskryerja e veprimeve të domosdoshme hetimore nga shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit, veprime këto të përcaktuara në nenin 30 të Kodit të Proçedurës Penale.

Kuliçaj vlerëson se, Policia e Shtetit, në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga neni 293 i këtij kodi, duhet të kishte referuar veprën penale në prokurori dhe njëkohsisht të kishte vazhduar hetimet paraprake.

“Pretendimet që parashtroi zoti Tahiri, se edhe këto hetime janë kryer dhe se i janë bashkuar fashikullit të hetimit për ngjarjen e ndodhur më datë 1 shtator, ku është tentuar të vritet shtetasi Fatjon Skënderi, provojnë mosveprimin e Policisë së Shtetit në hetimin e kësaj çështjeje. Çdo pretendim për mosreferim të çështjes tek prokurori, sipas detyrimeve të parashikuara në nenin 293 të Kodit të Proçedurës Penale, është i pambështetur në ligj dhe në praktikën e punës së policisë”, saktëson më tej Kuliçaj.

Në fund të deklaratës ai rithekson se nuk është i përfshirë në këtë inskenim dhe se është në dispozicion të çdo lloj hetimi.

Top Channel