“Fair play” financiar pritet të godasë Interin, Roma paralajmërohet

04/03/2015 00:00

Nuk ka rëndësi nëse luan në Champions, apo në Europa League. UEFA duket e vendosur të zbatojë rregulloren sa i përket “Fair Play”-t financiar, që prej dy ekipe në Itali: Interin dhe Romën.

Një goditje e ashpër pritet të vijë për ekipin zikaltër, të cilët me shumë mundësi nuk do t’ia hedhin vetëm me një gjobitje prej 6-7 milionë eurosh, siç parashikohej, por klubi i Thohir do të duhet të bëjë një merkato të kufizuar dhe do të duhet gjithashtu të reduktojë listën ekipore për sezonin aktual në Europë. Nuk do të ketë në dispozicion 24 lojtarë, por vetëm 21.

Edhe për Romën pritet të vijë një gjobë e majme, por nga sa mësohet do të jetë disi më e lehtë sesa ajo e Interit, ose e thënë ndryshe jo një ndëshkim, por një paralajmërim.

Pas takimit të javës së kaluar, paneli i komisionit hetimor të UEFA-s ka bërë sërish llogaritë, duke përfshirë edhe merkaton e janarit.

Gjatë së mërkurës pritej të vinte vetëm njoftimi zyrtar dhe ftesa për të udhëtuar sërish në Nion të Zvicrës. I vetmi “lëshim” nëse mund të konsiderohet i tillë, është detyrimi për të përfshirë në listën ekipore më shumë lojtarë të rritur në akademinë e vetë klubit.

Top Channel