Milan, situata aktuale, Verona dhe “revolucioni” i qershorit

04/03/2015 00:00

Që Milani është në një situatë të rëndë dhe në një krizë evidente, kjo nuk ka nevojë për shumë fjalë, pasi rezultatet e tregojnë vetë realitetin. Por nga ky moment e deri në fund të sezonit do të duhet të paktën të shpëtohet gjithçka që mund të shpëtohet.

Kryeçështja është Pippo Inzaghi. Ende nuk është kuptuar përfundimisht nëse SuperPippo ka stofin e duhur për të qenë në krye të pankinës kuqezi. E megjithatë, askush mes udhëheqësve të Milanit nuk ka ndërmend, as nuk ka projektuar shkarkimin e trajnerit. Nëse do të ketë rezultate edhe më të këqija se këto, ndoshta po.

Në takimin e Milanellos, mes Gallianit, Inzaghit dhe stafit teknik, tema të rëndësishme kanë qenë sensi i lojës së kuqezinjve, pasi tiparet sulmuese thuajse kanë munguar tërësisht në këto 2 muaj të vitit 2015; nevojshmëria e 3 pikëve, si terapia më e mirë e mundshme që ndihmon si në klasifikim, por edhe në moralin e lojtarëve; si dhe normat atletike, ku kundërshtimet përplasen me sasinë e madhe të punës gjatë këtyre javëve, gjë që konsiderohet si një punë e kënaqshme.

Por me çfarë moduli do të zbresë në fushë Milani në ndeshjen e ardhshme ndaj Veronës? E sigurt është që nuk mund të bëhen zgjedhje aventureske, por me shumë mundësi do të luhet me 4-3-1-2, me Cerci-Destro në vijën e parë. Ekziston një kusht paraprak, nëse mund të quhet i tillë: fitorja ndaj verdhebluve, pasi ndeshjen pasardhëse do të luhet në Firence ndaj ekipit “viola”, e nuk mund të rrezikohet një hap mbrapa drejt depresionit.

Sa i përket të ardhmes, në rast të shitjes së disa aksioneve të klubit, Milani përgatitet për një revolucion gjatë qershorit. Ekipi ka aktualisht 31 lojtarë e duhet shkurtuar ndjeshëm, por përbërja duhet të jetë mbi të gjitha “italiane”. Kushdo që të jetë trajner sezonin e ardhshëm, Milani do të rinovojë vetëm 3 nga 7 kontratat në prag të skadencës: Abate, Bonera, Abbiati. “Djalli” do të duhet të vendosë edhe për huazimet: mes të cilëve të vetmit që mund të qëndrojnë janë Destro dhe Bocchetti, por ish-romanisti kushton shumë.

Destro deri më tani nuk ka bindur, por duhet parë deri në qershor. Për ta blerë përfundimisht duhen 16 milionë euro, një shifër që Milani nuk e ka shpenzuar lehtësisht viteve të fundit, edhe pse duket se lojtari do të konfirmohet.

Lista e pasigurtëve është e gjatë, teksa revolucioni pritet të prekë veçanërisht mesfushën, ku Milani është hedhur në sulm për Baselli-n. Në krah të tij do të jetë Montolivo dhe Poli e Bonaventura. Një hap përpara drejt konfirmimit duket se e kanë bërë edhe lojtarë si Cerci, Paletta, Antonelli, De Sciglio, Diego Lopez, Honda dhe Menez.

Priten të largohen Alex, Rami, Zapata dhe mbi të gjitha El Shaarawy, i vetmi që mund të sjellë një “grusht” të mirë parash. Pas gjithë kësaj, do të duhet të zgjidhet edhe çështja e të huazuarve, si Niang, Matri, Nocerino, Saponara dhe Gabriel.

Top Channel