Ristani: Tahiri përgënjeshtroi Didin. Të dorëhiqet!

04/03/2015 00:00

Për Partinë Demokratike qendrimet mes Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi janë kontradiktore.

“Didi e ka mohuar, por Saimir Tahiri tha se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është gënjeshtar, pasi ai e ka takuar personin e dyshuar si atentator e që ka marrë porosinë për të vrarë dy deputetët. Ministri i Brendshëm pranoi sot se është marrë privatisht me këtë ngjarje, pasi ka bërë takime informale me personin që dyshohet si atentatori i paguar, madje edhe në shtëpi plazhi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani në një dalje për mediat mbrëmjen e së mërkurës.

Pikërisht në këtë konferencë, kërkesës së demokratëve për dorëheqje të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta iu bashkua edhe ajo në adresë të Saimir Tahirit.

“Ne i kërkojmë sot Ministrit të Brendshëm të japë dorëheqjen. Mbarë publiku, mbarë qytetarët kanë parë me zë e me figurë sot se Saimir Tahiri është një ministër rendi që bën pazare me vrasjet e komplotet, e kur paktet dështojnë, e kur bomba u shpërthen në duar, atëherë del e lëshon mjegull sërish duke penguar zbardhjen e ngjarjes”, deklaroi Ristani.

Top Channel