50 Cent garanton: Mayweather do ta mposhtë lehtësisht Pacquaion

04/03/2015 00:00

Jo më larg se 7 muaj më parë e konsideronte aq budall, saqë nuk arrinte dot as të lexonte me zë të lartë një faqe libri të Harry Potterit, duke premtuar se do të dhuronte 750 mijë dollarë në favor të sfidës së famshme “Ice Bucket Challenge”, nëse ai do të mund të provonte të kundërtën.

Në fakt, e vetmja gjë që ai i tregoi ishin dy çeqe prej 70 milionë dollarësh, duke lënë të kuptohet se cili prej atyre të dyve ishte më i pasuri.

Por sot, reperi 50 Cent është gati të vendosë një bast “të çmendur”: plot 1,6 milionë dollarë pikërisht në favor të Floyd Mayweather, të cilin e turpëroi pa masë, duke u shprehur i sigurt se më 2 maj në Las Vegas “kampioni do të fitojë me lehtësi ndaj Pacquaio”, kur dy prej boksierëve më të famshëm të kohërave të fundit do të sfidojnë njëri-tjetrin për titullin kampion bote të peshave të lehta.

“Jam i sigurt për kampionin – ka thënë Curtis Jackson, i njohur kudo si 50 Cent, teksa ka ndërhyrë në një program radiofonik. – E them me bindje, sepse e kam takuar së fundi në koncertin e Chris Brown, në Nju Jork, dhe e pashë si shumë të përqendruar, ndaj dhe nuk mund të humbasë. Kam përshtypjen se kjo sfidë po pompohet më kot mediatikisht”.

Boksieri amerikan ka nisur zyrtarisht stërvitjen të hënën në Las Vegas, ndërsa kundërshtari i tij ka zgjedhur Los Angeles, përpara sfidës së shumëpritur, por reperi i famshëm i muzikës, nëse rezulton i saktë në parashikimin e tij, do të fitonte pak më shumë se 2,3 milionë dollarë.

Por filipinasi Manny Pacquaio, i cili shkruan shpesh në Twitter, është mëse i bindur se do të korrë sukses, pikërisht ndaj atij përpara të cilit kanë dështuar 47 boksierë të tjerë. Shumë bastexhinj e mbështesin filipinasin, por ka nga ata që, edhe pse të bindur për fitoren e Mayweather, thonë se deri më 2 maj amerikani mund të mos jetë favoriti i ndeshjes.

Top Channel