Kinë, kryeministri prezanton objektivat për ekonominë

05/03/2015 00:00

Kryeministri i Kinës, Li Keqiang, publikoi parashikimet ekonomike të vendit, duke folur për një rritje më të ulët ekonomike dhe duke bërë thirrje për kontrolle më të rrepta për ambjentin, teksa hapi sesionin vjetor të Parlamentit.

Duke folur përpara Kongresit Kombëtar të Popullit, Li deklaroi se Kina do të synojë një rritje ekonomike prej rreth 7 përqind gjatë vitit 2015. Me elementët tradicionalë të rritjes që po dobësohen, tha ai, nevojiten më shumë reforma strukturale për të ecur përpara.

Duke e cilësuar ndotjen e ambjentit një “plagë” për cilësinë e jetës, shefi i qeverisë tha se ligjet ambjentale do të përforcohen.

Rreth 3 mijë ligjvënës nga e gjithë Kina u mblodhën për të ndjekur seancën e hapjes së sesionit vjetor në Dhomën e Madhe të Popullit në Pekin.

Kina e cilëson Kongresin Kombëtar të Popullit si organin suprem të pushtetit. Kjo strukturë ka kompetenca të shfuqizojë dhe të ndryshojë legjislacionin. Në praktikë, ai konsiderohet “vula” e Partisë Komuniste në pushtet.

Fjalimi tradicional i kryeministrit hap zyrtarisht sesionin, që përfundon më 15 mars. Rreth 30 nga 38 faqe të fjalimit të Li kishin në fokus ritmet e ngadalësuara të ekonomisë.

Ai u përpoq të qetësonte të pranishmit duke thënë se parashikimi prej 7 përqind i rritjes ekonomike është diçka normale dhe se niveli do të kthehet në objektivat e duhur brenda pak vitesh.

Por më i ndjeshëm kryeministri duket se u tregua ndaj ndotjes së ambjentit, një çështje që ai e cilësoi “plagë në jetën e përditshme të popullit dhe një problem që rëndon në zemrat e tyre”.

Më tej, Li vijoi me një listë të gjatë premtimesh, nga mbrojtja e pyjeve tek promovimi i makinave elektrike.

Top Channel