Hillary Clinton: Le të publikohen email-et e mia

05/03/2015 00:00

Hillary Clinton u është përgjigjur zërave akuzues për abuzim me postën e saj elektronike kur ishte Sekretare e Shtetit, duke u bërë thirrje autoriteteve të publikojnë përmbajtjen e saj.

“Dua që publiku të shohë email-et e mia”, tha Clinton përmes një mesazhi të postuar në profilin e saj, në rrjetin social Twitter.

Reagimi i Clinton vjen pasi mesazhet e saj u kërkuan nga një komitet i Kongresit, që po heton sulmet ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vitin 2012, në Bengazi.

Departamenti i Shtetit po shqyrton pistën e përdorimit të profilit personal të sekretares së atëhershme si një shkelje të ligjit federal.

Kjo çështje e ka vënë zonjën Clinton nën presion, në një kohë kur ajo besohet se do të jetë kandidatja e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

“U kërkoj autoriteteve t’i publikojnë mesazhet e mia. Ato thanë se do të konsiderojnë publikimin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi Clinton.

Më herët, gjatë së mërkurës u zbulua se ish-kryediplomatja amerikane kishte pasur server personal të internetit në shtëpinë e saj në Nju Jork.

Si Sekretare e Shtetit në periudhën 2009-2013, ajo nuk kishte një adresë qeveritare email-i, bëri të ditur Departamenti i Shtetit për “New York Times”.

Autoritetet mbikëqyrëse dhe ish-zyrtarë të Arkivës Kombëtare thanë për gazetën se përdorimi i email-it privat nga zonja Clinton dhe jo i një email-i zyrtar është një shkelje serioze.

Zyrtarë të tjerë shprehën gjithashtu shqetësimet se një postë elektronike personale është më e cenueshme nga sulmet e piratëve informatikë.

Top Channel