Dokumentet e Snowden: Edhe Zelanda e Re përgjon aleatët

04/03/2015 00:00

Edhe Zelanda e Re përgjon në masë fqinjët e saj në Paqësor, sugjeron një dokument i publikuar nga ish-spiuni amerikan, Edward Snowden.

Telefonata, email-e dhe mesazhe në rrjete sociale mblidhen nga vendet e Paqësorit, raporton “New Zealand Herald”.

Të dhënat janë ndarë me vendet e tjera të të ashtuquajturit “5 Sytë”, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Australia, Britania dhe Kanadaja.

Dokumentet e publikuara këtë të enjte tregojnë se Byroja Qeveritare për Sigurinë e Komunikimeve, GCSB, përdori një bazë në Ueihopai, në jug të ishullit, për të përgjuar aleatët në rajon.

Mes vendeve të përgjuara janë ishujt Fixhi, Papua Guinea e Re, ishujt Solomon, Nauru, Samoa, Vanuatu, Kiribati, Kaledonia e Re, Tonga dhe Polinezia Franceze.

Sipas faqes amerikane të internetit “The Intercept”, që ka publikuar gjithashtu dokumentet, baza ka kryer përgjime të mirëfillta, që do të thotë se ka mbledhur më tepër përmbajtjen e komunikimeve sesa persona të caktuar.

Të dhënat më pas u ofroheshin edhe agjencive homologe, si NSA-ja amerikane, përmes programit të diskutueshëm XKeyscore, për të cilin u mësua në vitin 2013 nga Snowden.

Kryeministri i Zelandës së Re, John Key, deklaroi se raportimet mediatike përmbajnë pasaktësi, por nuk dha detaje mbi to. Ai tha se, GSBC kishte mbledhur informacion të huaj që ishte në interes të Zelandës së Re dhe në mbrojtje të qytetarëve të saj.

Lideri i opozitës, Andrew Little, në reagimin e tij deklaroi se e kupton nevojën e agjencive të sigurisë për të mbrojtur vendin, por shtoi se ishte i shtangur nga informacioni që ishte mbledhur dhe aksesi që u ishte ofruar Shteteve të Bashkuara.

Top Channel