Artet me piano të re pas fushatës në facebook

05/03/2015 00:00

Universiteti i Arteve do të ketë një piano të re, që do të shërbejë për provimet e studentëve, pedagogët dhe koncerte të ndryshme. Pianoja që ka kushtuar 27 mijë euro është blerë nga donacionet e shumta që kanë ardhur pas një fushate në rrjetin social Facebook, iniciuar nga pianistja dhe pedagogia Merita Rexha Tërshana.

“Jam shumë e kënaqur që bëmë një dhuratë për studentët dhe pedagogët e këtij Universiteti. Kur e prezantova këtë iniciativë, fillimisht në faqen time të facebook-ut dhe menjëherë më pas në programin “Wake Up”, “Top Channel” kisha dyshimet e mia nëse do të gjeja mbështetjen e duhur, por tani jam e kënaqur që ka një komunitet artdashës për muzikën klasike. Përgjatë tre muajve 325 donatorë kanë plotësuar shumën prej 3 milion lekësh të rinj dhe më në fund pianoja ka mbërritur në sallën e koncerteve në Universitetin e Arteve”,- ka thënë Tërshana.

E pyetur mbi investimet e tjera që i nevojiten këtij Universiteti, Tërshana ka shtuar: “Natyrisht që kjo shkollë ka nevojë për shumë investime dhe shpresoj që pianoja të jetë vetëm fillimi i një investimi shumë të madh që do të bëhet për studentët e artit, por pse jo edhe për gjithë kulturën shqiptare. Shpresoj që të ndërhyhet edhe në sallën e madhe të koncerteve në Universitet, që është një ndër sallat më të bukura në Tiranë dhe me akustikën më të mirë”.

Për të falenderuar gjithë kontribuesit e për të festuar bashkë me ta blerjen e kësaj pianoje profesionale, disa nga pedagogët e Universitetit të Arteve kanë menduar të organizojnë një koncert festiv në datën 16 mars, në orën 19:00, në sallën e koncerteve.  

Top Channel