Librazhd, nxënësit e Qarrishtës pa mësues

05/03/2015 00:00

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare të fshatit Qarrishtë në rrethin e Librazhdit, prej një muaji nuk bëjnë asnjë orë mësimi.

Sipas prindërve dhe fëmijëve, shkak është mosardhja e mësuesve në punë.

Përveç periudhës së dimrit kur kjo zonë bllokohet nga dëbora dhe mësuesit e kanë të pamundur të mbërrijnë, prindërit e cilësojne të papranueshme që arsimtarët nuk shkojnë edhe kur rrugët janë të hapura. Sipas tyre, një situatë e tillë vazhdon prej shumë kohësh, pasi në këtë shkollë asnjëherë nuk ndodh që të bëhet mësim 5 ditë në javë.

Në shkollën 9-vjeçare të fshatit Qarrishtë zhvillon normalisht mësim vetëm cikli i ulët, pasi mësuesja është banore e zonës. Edhe në këtë rast nxënësit nga klasa e parë në të pestën e zhvillojnë mësimin bashkë, për shkak të numrit të vogël.

E kontaktuar në telefon nga Top Channel, drejtoresha e sapoemëruar e Drejtorisë Arsimore në Librazhd, u shpreh se sapo e ka emëruar mësuesin në këtë shkollë, ndërkohë që sipas saj, askush nuk pranon të shkojë në një zonë kaq të largët dhe emërimi ka qenë i vështirë. Znj. Fatbardha Capja  tha se e ka të pamundur të emërojë mësues, banorë të zonës, pasi ligjërisht duhet të emërojë fituesit e shpallur për vendet e punës.

Top Channel