PD i kërkon dorëheqjen, Meta: Nuk largohem dy herë për Shkëlzenin

05/03/2015 00:00

Seanca e kësaj të enjteje, nuk ishte një seancë e gjatë, por ishte një
seancë shumë e veshtire, e ndërprerë dy herë, shumë e tensionuar dhe e
mbushur me akuza shumë të rënda.

Protagonistët ishin Sali Berisha dhe Ilir Meta, dy ish-aleate qeverie, që, pas kësaj seance, vështire se mund të rikuperojne me diçka nga marrëdhenia e mbetur prej kohëve të bashkëqeverisjes.

Sali Berisha: Të kam denoncuar në Parlament…

Ilir Meta: E nise si lider demokracie dhe po e mbaron si aksioner pularie. Ky mezi po priste të ndodhte vrasja brenda maxhorancës.

Sali Berisha: Logjikë njerëzore mbi tokë, përveç logjikës së Ilir Metës, këtë nuk mund ta pranonte askush tjetër, përveç logjikës së atij që do të kapet pas çdo fije bari. Sot në botë nuk ka kryetar Parlamenti të akuzuar në këtë mënyrë, nga një deputet i maxhorancës.

Ilir Meta: Nga cili deputet?

Sali Berisha: Nga deputeti Tom Doshi

Ilir Meta: Eshtë miku juaj prej disa muajsh…

Sali Berisha: Vetëm sa fakton shkallën e krimit, sepse mor i mjerë…!

Ilir Meta: Kush është i mjerë?

Sali Berisha: Ai që mendon që mund të shesë Doshin, si njeri të Sali Berishës. Tom Doshi është njeriu më i sulmuar nga Sali Berisha, bashkë me Koço Kokëdhimën.

Ajo qe opozita kërkon me ngulm dhe e ka kërkesë të panegociueshme është dorëheqja e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për t’i hapur rrugë, siç thotë, mundësisë së një hetimi të papenguar nga pushteti.

Sali Berisha: Hapni rrugën e hetimit! Jep dorëheqjen nga Parlamenti! Mos shfrytëzo votat e krimit për të qëndruar në postin që je. Je kokë e qelbur! Jep dorëheqjen!

Ilir Meta: Mos ulërit, doktor, të lutem! Jepjani ilaçet doktorit, sepse kemi përgjegjësi për shëndetin e doktorit!
Përgjigjja ime për sa thua doktor është kjo: Unë për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë një herë dorëheqjen, dy herë nuk e jap për Shkëlzen Berishën. Mos u bëj pjesë e ‘puçit të pularisë’ me Tom Doshin dhe Dritan Priftin si aksioner. Po ta bëj këtë gjë në mënyrën më miqësore, për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin…

Emri i deputetit Tom Doshi u përmend me dhjetëra herë gjatë 3 orëve, por zoti Doshi nuk ishte në salle, sepse deri kur seanca u mbyll, ai vazhdonte të ishte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ilir Meta: Ti je i vetmi që beson më shumë te Toma, sesa te Prokuroria, që beson se një person i akuzuar për vrasje thotë të vërtetën përpara Tom Doshit dhe gënjen përpara Prokurorisë dhe Policisë.

Sali Berisha: Këtë alibi që po jep është e turpshme.Këtë nuk ta beson njeri. Edhe deputetët e tu po qeshin me ty. Nëqoftëse ti do të shesësh Tom Doshin, nuk e shet kurrë. Tom Doshi s’ka asnjë lidhje, s’do ketë lidhje dhe s’ka patur lidhje. Më mirë jep dorëheqjen. Mos e ço vendin drejt atyre situatave që vendi nuk duhet të shkojë…

Ilir Meta: Ulu tani doktor, se nuk ke moshë për të ngrohur vezët e krimit! Ti je njeri serioz…Ti të jesh i bindur se do të përfundosh anëtar i partisë së Tomës. Toma e ka gabim që të hapë parti të re, se gati e ka partinë Toma…

Sali Berisha: Këto janë përpëlitjet e atij që mbytet, por ti s’mund të mbysësh vendin për veten tënde!

Ilir Meta: Për Zenin dhe për Dritan Priftin e kam dhënë njëherë dorëheqjen. Se të kërcënon ty Dritani, me videot e Zenit dhe bashkë me Tomën kjo është çështje tjetër nuk është çështja ime

Sali Berisha: Unë u them shqiptarëve, që ky (Meta) është e zeza e vendit.

Në salle erdhi deputeti tjeter i permendur ne skenarin e pretenduar te vrasjes, Mhill Fufi. Dhe ky ishte nje moment tjeter i ashpersimit te akuzave mes Sali Berishes dhe Ilir Metes.

Sali Berisha: Ke bërë me një veprim shtesë, ke thirrur familjarët e Fufit…

Ilir Meta: Çdo njeri flet vetë në emrin e vet. Të gjithë të shkojnë në Prokurori. Edhe mua po më thirri Prokuroria do të shkoj atje. Çfarë shqetësimi ke? Ti nëse ke shqetësimin për të zbardhur ngjarjen, kishe shkuar në Prokurori me kohë…

Sali Berisha: Ngjarjet nuk zbardhen me ty kryetar parlamenti. Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë…

Ilir Meta: E dhashë prej Shkëlzenit dorëheqjen, sepse Shkëlzeni ishte në videot e Dritan Priftit dhe më the: ‘shiko cfarë më ka bërë ky budallai!’ Vazhdo merr mendjen e Shkëlzenit akoma, çfarë të bëj unë?

Sali Berisha: Me këto gjëra që thua vetëm e zhyt veten më thellë. Ne kurrë s’do të pranojmë që Parlamentin ta udhëheqë një njeri i akuzuar për dy vrasje.

Gjate gjithe seances Kryeministri Rama nuk ndërhyri asnjehere. Emri i tij u permend nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta për t’i tërhequr vëmendjen gjatë procesit të votimit të ligjeve në rendin e ditës.

Votimi u zhvillua nën fishkëllimat dhe duartrokitjet ironizuese të opozites, ç’ka paralajmeron se edhe seanca tjetër parlamentare nuk do të jetë normale.

Top Channel