Rama: E gjithë historia një farsë

05/03/2015 00:00

Maxhoranca nuk u përfshi në debatet parlamentare të dominuara nga
ish-kryeministri Sali Berisha me kryeparlamentarin Ilir Meta. I vetmi që
replikoi me Berishën ishte deputeti Paulin Sterkaj.

Në përfundim të seancës, Kryeministri Edi Rama, jashtë mjediseve të Kuvendit bëri një deklaratë nga ku fillimisht komentoi atë që ndodhi në sallën e Parlamentit.

“Kjo ishte një shfaqje shumë e trishtueshme, në të cilën janë përfshirë një ‘tufë politikejsh dhe rrugeçërish’. Kostoja e këtyre sjelljeve është e shqiptarëve, të cilët presin të dëgjojnë për reformat, për ligjet, për të cilat ka nevoje procesi i reformave dhe i modernizimit të vendit, për ekonominë. Eshtë për të ardhur keq që Shqipëria sot, jo vetëm që nuk ka opozitë, por ka një opozitë, e cila përveçse ka braktisur misionin e saj për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që e kanë votuar, është kthyer në zërin e skutave më të errëta të një bote, me të cilën politika është e vendosur të ndahet”, tha Rama.

Duke u ndalur në zhvillimet e fundit politike në vend pas deklaratave të Tom Doshit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo maxhorancë ka vendosur tashmë një standard të ri në marrëdhëniet me Prokurorinë.

“Ish-kryeministri na tha hapur, atë që në fakt ka qenë për të gjitha vitet e qeverisjes së tij, standardi i tij, pra një njeri në krye të pushtetit i mbyll gojën Prokurorisë dhe që ende sot ka lënë pa përgjigje 21 janarin dhe shumë drama e skandale të tjera korruptive. Ne kemi një standard tjetër, që është i shpallur dhe mbi të cilin jemi të vendosur të ecim përpara; standardin e punëve të ndara. I takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën e kësaj farse që na turpëron të gjithëve. Ne do ia lëmë drejtësisë që të merret me këtë çështje deri në fund. Nëse flasim për institucione, këto janë institucionet”, tha Rama.

Top Channel