F1, Alonso u kthye në vitin 1995 pas aksidentit në testime

05/03/2015 00:00

Në datën 22 shkurt, Fernando Alonso pësoi një aksident të rëndë në testimet parasezonale të Formulës 1 në pistën e Montmelosë dhe humbi ndjenjat si pasojë e përplasjes.

Në momentin që u përmend në spital, piloti i McLaren-it u pyet se kush ishte, me çfarë merrej dhe se çfarë priste nga e ardhmja. Këto pyetje i bëhen të gjithë atyre që pësojnë goditje të forta. Sipas ‘El Pais’, përgjigja e dy herë kampionit të Formulës 1 ishte e habitshme: “Jam Fernando, pilotoj në Karts dhe ëndrra ime është të bëhem pilot i Formulës 1.”

Alonso ishte kthyer në vitin e largët 1995 dhe nuk mbante mend asgjë nga 20 vitet e mëvonshme: as debutimin e tij në Formula 1 me Mindardin, as titujt kampion me Renault (2005 dhe 2006) dhe as aventurën me Ferrarin.

Gjithsesi, vizitat që iu bënë më pas, treguan se Fernando Alonso nuk ka asnjë dëmtim cerebral dhe se mungesa në Cmimin e Madh të Australisë i është rekomanduar nga mjekët vetëm si masë parandaluese për ndonjë aksident të mundshëm gjatë garës që do e ndërlikonte rekuperimin e tij.

Top Channel