BE diskuton politikën e fqinjësisë. Ballkani konsiderohet Europë

05/03/2015 00:00

Pas mbledhjes së Kolegjit, Komisioni Europian shpalli nisjen e konsultimit mbi të ardhmen e Politikës së Fqinjësisë Europiane, që u rishikua së fundi në 2011-n. Duke marrë parasysh zhvillimet e rëndësishme te fqinjët në lindje, e ka pranuar dështimin mbi pritshmëritë e parashikuara për sjelljen e Rusisë pas çdo mase të marrë përgjatë kësaj kohe, Brukseli ndërmerr rishqyrtimin me themel të parimeve, mbi të cilët bazohet kjo politikë, të qëllimit dhe mënyrës së përdorimit të instrumentëve.

“Kuptimi i asaj që ne po nisim sot është saktësisht një dialog, një ushtrim i krahasimit çfarë funksionon dhe çfarë nuk punon, çfarë duhet të përmirësohet dhe ku ne kemi interes të përbashkët dhe gjuhë të përbashkët për veprim. Ende është një prioritet politik për ne që të punojmë së bashku”, tha Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE.

Ndërsa vendet e Fqinjësisë konsiderohen si “pragu i BE-së”, Mogherini e quajti Ballkanin në “Europë”, dhe tha se mes dy komisionerëve ka një koordinim më të mirë për këtë politikë, sidomos për krizën politike në Maqedoni, ku premtoi të ndiqte rekomandimet e Parlamentit për të ndërhyrë. Ndërsa në rishikimin e Fqinjësisë janë identifikuar 5 zona me interes të përbashkët: tregtia dhe zhvillimi ekonomik, ndërlidhja, siguria, mirëqeverisja dhe emigracioni, sipas Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit.

“Nga siguria energjetike tek emigracioni, nga tregtia te terrorizmi, ne duhet të punojmë së bashku mbi të gjitha sfidat që hasim. Duam të jemi një partner kyç për vendet që janë në pragun tonë, ndërsa respektojmë të drejtën e tyre për të zgjedhur rrugën e vet përpara”, tha Hahn.

Konsultimi me partnerët dhe grupet e interesit zgjat deri në qershor, e më pas Komisioni komunikon propozimet për linjën që duhet ndjekur në vjeshtë. Rishikimi i disa politikave të Brukselit erdhi në të njëjtën ditë, që Kancelarja gjermane Merkel takoi Presidentin Juncker dhe Kolegjin e Komisionerëve.

“Ne po punojmë së bashku për një rezultat të mirë për Europën. Ka disa pika ku u përqëndrova; së pari mbi Ukrainën dhe atë çfarë po bën Komisioni”, tha Merkel.

Greqia dhe tregtia transatlantike ishin dy çështjet e tjera që përmendi Kancelarja, gjatë konferencës për shtyp, ndërkohë që Gjermania rezulton vendi më i prekur nga abuzimi i lëvizjes së lirë me vendet përfituese të rajonit.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel