Vendoret, në listat paraprake 3.3 milionë votues. Pastrohen dublimet

05/03/2015 00:00

3 milionë e 367 mijë e 75 qytetarë do t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, sipas listës së dytë paraprake të zgjedhësve.

Ministria e Brendshme thotë se numri i dublimeve është 49% më pak, krahasuar me listën përfundimtare të zgjedhësve të 21 qershorit, dhe se po punohet për ta ulur më tej këtë numër, deri në publikimin e listës përfundimtare.

“Janë rreth 3900 dublime në lista dhe po vijon puna për të minimizuar këtë numër. Është monitoruar procesi i bllokimit të shtetasve mbi 100 vjeç në listën e zgjedhësve dhe përfshirjen me kërkesë të vetë shtetasve në listë, sipas procedurës së parashikuar, duke e zbritur këtë shifër në 1140 shtetas, nga 1288 që ishte në zgjedhjet e fundit parlamentare”, tha Bledar Doracaj, drejtor i Gjendjes Civile.

Lista paraprake është shpërndarë në zyrat e Gjendjes Civile në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Lezhë, Shkodër dhe Dibër. Qytetarët me të drejtë vote mund të bëjnë verifikimet, me qëllim shmangien e gabimeve që mund të përbëjnë shkak për mospjesëmarrjen në procesin e votimit.

Top Channel