Rusia nis stërvitje masive ushtarake në rajonet e diskutueshme jugore

05/03/2015 00:00

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar gjatë së enjtes nisjen e një stërvitjeje ushtarake të shkallës së gjerë në jug të vendit, apo më saktë në territoret e diskutueshme të kufijve jugorë të Rusisë.

Stërvitjet përfshijnë mbi 2000 trupa antiajrore dhe 500 mjete armatimi, si dhe do të zgjasin deri më 10 prill, raporton agjencia e lajmeve “Interfax”.

Ministria e Mbrojtjes shtoi se stërvitjet po kryhen në pjesën jugore të vendit dhe rajonet federale të Kaukazit Verior, ashtu sikurse dhe në bazat ushtarake ruse në Armeni, rajonet separatiste gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë Jugore, si dhe në rajonin e Krimesë, të aneksuar vitin e kaluar nga Ukraina.

Këto stërvitje priten të shihen nga Perëndimi si një shfaqje e forcës, teksa marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit janë në nivelet më të ulëta që prej Luftës së Ftohtë, për shkak të krizës në Ukrainë.

Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se ka orkestruar revoltën e separatistëve në rajonet lindore të Ukrainës, duke i furnizuar me trupa dhe armatime, akuza këto që Moska i ka hedhur poshtë vazhdimisht.

Në një konferencë për shtyp në Moskë, që nuk kishte aspak lidhje me stërvitjet në fjalë, zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Anatoly Antonov, tha se aktivitetet e NATO-s pranë kufijve të Rusisë tejkalojnë shumë më tepër atë që po bën ushtria ruse.

“Vendet e NATO-s janë duke shfrytëzuar situatën në juglindje të Ukrainës si një justifikim për të ecur përpara, drejt kufijve të Rusisë”, është cituar të ketë thënë Antonov nga agjencia e lajmeve “Interfax”.

Të mërkurën, një flotë ushtarake e NATO-s mbërriti në detin e Zi për të kryer stërvitje me anije luftarake nga marinat e Bullgarisë, Rumanisë dhe Turqisë, siç njoftoi vetë aleanca atlantiko-veriore.

Top Channel