Sulmi ndaj ambasadorit amerikan, Veriu: Drejtësi për stërvitjet ushtarake

05/03/2015 00:00

Një agresor që kundërshton stërvitjen e përbashkët ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, sulmoi mëngjesin e së mërkurës ambasadorin amerikan në Seul, duke i shkaktuar të çara thike në fytyrë dhe në dorën e majtë, shumë pak përpara se të mbante një fjalim.

Korea e Veriut reagoi menjëherë duke e quajtur këtë akt si “sulm me thikë për drejtësi”, duke shtuar se ky veprim reflekton ndienjat antiamerikane në Korenë e Jugut.

Ambasadori amerikan në Korenë e Jugut, Mark Lippert, është në gjendje jo shqetësuese, pasi iu nënshtrua një operacioni prej më shumë se 2 orësh, gjatë të cilit plaga në faqe iu mbyll me 80 kapse. Me shumë mundësi ai do të qëndrojë i shtruar në spital për 3 apo 4 ditë, sipas mjekëve të spitalit.

Policia ka identifikuar të dyshuarin si Kim Ki-Jong, një 55-vjeçar me një histori të gjatë sjelljesh të paparashikueshme. Në vitin 2010, ai mori një dënim të pezulluar më pas prej 2 vitesh burgim, për shkak se hodhi një gur ndaj ambasadorit japonez në Korenë e Jugut, sipas agjencisë koreano-jugore, Yonhap.

Por cili ishte motivi i këtij sulmi? Thjesht donte t’u jepej fund stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Jugut dhe SHBA-ve, në mënyrë që të përmirësoheshin marrëdhëniet mes dy Koreve, Veriore dhe asaj Jugore, bëri të ditur policia. Stërvitjet ushtarake mbahen rregullisht çdo vit, pavarësisht se dihet që do të marrin kritika të ashpra nga Korea e Veriut.

Qeveria e vendit komunist beson se sulmi ishte “thjesht një ndëshkim për lojërat e luftës të SHBA-ve”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA. Ndërkohë, nga ana tjetër, presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, e dënoi rreptësisht atë.

“Ky incident nuk është thjesht një sulm fizik ndaj një ambasadori amerikan, – tha ajo. – Por një sulm ndaj aleancës mes Koresë së Jugut dhe SHBA-ve, ndaj dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi”.

Lippert u sulmua teksa merrte pjesë në një event të organizuar nga Këshilli korean për Pajtim dhe Bashkëpunim, i cili mbron idenë e ribashkimit paqësor mes dy Koreve. Ambasada amerikane nuk kërkoi forca speciale sigurie në këtë event, bëri të ditur policia e Seulit. Në detyrë ishin vetëm 3 oficerë policie në hyrje të ndërtesës, ndërsa 25 të tjerë ishin brenda, në ruajtje të gjithçkaje.

Agresori Kim ishte i ftuar në event si një prej 181 anëtarëve të Këshillit të fjalë. I gjithë stafi organizator e njihte atë, por shumë pak prisnin që ai të merrte pjesë, aq më tepër që hyri i vetëm pasi kishte hyrë ambasadori.

Edhe pse Kim këmbëngul se ka vepruar i vetëm, policia është ende duke hetuar nëse kjo është e vërtetë, apo nëse ka qenë i infiltruar.

E megjithatë, mbrëmjen e së enjtes, vetë ambasadori Lippert publikoi një mesazh në Twitter-in e tij, duke thënë se ishte në gjendje të mirë dhe duke u rikuperuar. “Po ia kaloj mirë dhe ndihem mirë. Jemi të habitur nga mbështetja e madhe. Do të rikthehemi shumë shpejt për të vijuar me aleancën SHBA-Kore e Jugut”, shkroi ai, duke shtuar më pas në gjuhën koreane: “Le të punojmë së bashku”.

Top Channel