Akuzat e Doshit, Prokuroria fton për të dëshmuar Metën, Ramën, Tahirin, Berishën…

05/03/2015 00:00

Pas deklarimeve të dhëna nga deputetit Tom Doshi, Prokuroria për Krime të Rënda ftoi zyrtarisht për të marrë dëshmine e zyrtarëve më të lartë të shtetit dhe personave të tjerë, për të cilët Doshi është shprehur se kanë dijeni për çështjen që ai ka denoncuar.

Në një njoftim, prokuroria thotë se ka ftuar për të dhënë deklarimet e tyre ditën e premte: kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, deputetin Mark Frroku, deputetin e PD-së Mhill Fufi, Eugen Beçin, ish-Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht i komanduar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Por kësaj liste i shtohet dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, ftesën për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda e argumenton me faktin se ka ardhur pas deklarimeve publike të bëra në sallën e Kuvendit ditën e enjte, të cilat mund të jenë të vlefshme për këtë hetim.

Emri që tërheq më shumë vëmendje në këtë listë është ai i deputetit Mark Frroku, pasi të gjithë personat e ftuar nga Prokuroria janë përmendur në një rrethanë apo tjetër në këtë ngjarje.

I kontaktuar në telefon nga Top Channel deputetit Frroku është shprehur se dijeninë për ftesën e Prokurorisë e ka marrë nëpërmjet medias. I pyetur nëse ka pasur dijeni për këtë ngjarje, deputetit Mark Frroku është shprehur se nuk ka ditur asgjë deri në momentin që ajo u bë publike nga deputeti Tom Doshi.

“Nuk kam dijeni fare për këtë ngjarje, ose thënë më ndryshe, kam dijeni aq sa kanë gjithë shqiptarët pasi e kam mësuar atë kur është bërë publike në media”, ka deklaruar për Top Channel deputeti Frroku.

Top Channel