Basha: Qeveria, presion hetimit “Doshi”

05/03/2015 00:00

Lulzim Basha ka akuzuar drejtuesit e mazhorancës për ndërhyrje në hetim dhe devijimin e tyre.

Kreu i demokratëve tha se informacioni që po rrjedh në media është bërë përmes krerëve të pushteteve me një qëllim: presion ndaj drejtësisë dhe zhurmim të opinionit publik për të çuar përfundimin e hetimeve sipas paracaktimit të tyre.

“Me sjelljen e tyre, Meta, Rama dhe Tahiri po i thonë drejtësisë ta mbyllë çështjen sa më shpejt. Po i thonë Prokurorisë që të mos lodhen me hetime pasi tashmë është marrë vendimi. Verdikti është dhënë në zyrat e pushtetit se ligji janë ata. Nuk do ia dalin. Partia Demokratike dhe opinioni publik janë në këmbë që kjo çështje jetike për demokracinë dhe shtetin shqiptar të zbardhet nga drejtësia ashtu siç është”, deklaroi kreu i PD-së.

Ndaj për demokratët, sqaroi Basha, është kaq e rëndësishme dorëheqja e Ilir Metës dhe ndjekja e procesit hetimor për akuzën më të rëndë të bërë në 25 vjet demokraci. Megjithatë, ai siguroi se nuk do të lejohet që Ilir Meta t’i shpëtojë akuzës për porositjen e vrasjeve për shkak të postit, ndërsa Edi Rama, tha kreu i demokratëve, nuk do të mund t’i shpëtojë dekriminalizimit të parlamentit, duke sakrifikuar Tom Doshin.

“Edi Rama dhe Ilir Meta duhet ta dinë se dekriminalizimi nuk bëhet duke vrarë, nuk bëhet me krim. Ata sot janë të akuzuar, njëri si porositës i vrasjes me pagesë të deputetëve dhe tjetri si dëshmitar dhe fshehës për 6 muaj i veprës penale. Kanë punë me drejtësinë. Mund t’i fshihen ligjit, por popullit nuk mund t’i fshihen dot”, theksoi Basha.

Top Channel