Gjykata Speciale, Vetëvendosja fton Mustafën në interpelancë

05/03/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje fton në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, për përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale.

Vetëvendosje kërkon nga Kuvendi i Kosovës të marrë nismën e themelimit të kornizës ligjore, për krijimin e strukturës gjyqësore vendore të Kosovës për gjykimin e krimeve të luftës, që do të jetë nën sovranitetin e plotë të Republikës së Kosovës.

Në mocionin e shpërndarë për media thuhet se pushteti gjyqësor në Kosovë është unik, i pavarur, i drejtë dhe siguron qasje të barabartë në gjykata. Uniteti i garantuar me pushtetin gjyqësor thyhet, në rast se brenda sistemit vendosen strukturat e quajtura “dhoma të specializuara” dhe “zyra e prokurorit të specializuar”, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje.

Në mocionin e protokolluar nga Sekretaria e Kuvendit dhe të nënshkruar nga deputetët e Vetëvendosjes thuhet se, çdo përfshirje e Qeverisë së Kosovës lidhur me procesin e themelimit të strukturës gjyqësore të quajtur si “Gjykatë Speciale”, të bëhet me raportimin dhe pëlqimin paraprak të Kuvendit të Kosovës.

Presidentja dhe Qeveria e Kosovës, sipas subjektit opozitar, duhet të ndërpresin menjëherë procesin e nisur përciptazi me këtë çështje. Kjo, për shkak të moslajmërimit dhe mospëlqimit paraprak të Kuvendit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës aktualisht është duke punuar me ndryshimet kushtetuese, mbi ligjin dhe statutin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë krimet e luftës. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar në Komisionin për Legjislacionin një projektligj të punuar – siç ka thënë ai – nga ndërkombëtarët.

Drafti parashikon funksionimin e dhomave të specializuara të gjykatës dhe prokurorisë, në kuadër të sistemit gjyqësor kosovar, por si të pavarura nga çdo nivel i sistemit të gjykatave në Kosovë. Ato do të kenë përparësi ndaj çdo gjykate kosovare dhe selia e tyre mund të jetë në Kosovë, por edhe jashtë saj.

Gjykata parashikohet të ketë juridiksion mbi nënshtetasit kosovarë ose të ish-Jugosllavisë dhe, siç thuhet në këtë projektligj, do të trajtojë krimet që pretendohet se kanë ndodhur nga 1 janari 1998, deri më 31 dhjetor 2000.

Top Channel