Sa “lirë” na shesin lidhjet e krijuara në internet?

05/03/2015 00:00

Ta njohësh tjetrin para se ta takosh. Pranojeni ose jo, media sociale ka ndryshuar krejtësisht mënyrën sesi vihemi në kontakt me gjininë e kundërt. Ka tejkaluar kufij gjeografikë dhe ka krijuar marrëdhënie mes dy personave, që nuk e kanë takuar kurrë më parë fizikisht njëri-tjetrin.

Dikur, shumë vite më parë, një djalë simpatik, në një ditë me diell, shihte dashurinë e jetës së tij, flisnin dhe diskutonin, mbanin njëri-tjetrin të kapur prej dore, kalonin shumë kohë së bashku dhe martoheshin. E nëse përgjatë rrugëtimit të tyre kishte plot zënka të vogla, fundi ishte “ata jetuan të lumtur përgjithmonë”.

Nëse kthehemi pas në të shkuarën, meshkujve u duhej të punonin së tepërmi për t’i bërë përshtypje një femre. Marrëdhëniet asokohe ndërtoheshin për të qenë të tilla, deri në pafundësi, pavarësisht gjithçkaje. Romanca gjendej te letrat shumëfaqëshe të dashurisë, telefonata të pafundshme, daljet në teater dhe librat.

Me kalimin e viteve, revolucioni dixhital e bëri jetën më të lehtë. Por, paralelisht, jeta dhe karriera u bënë më të vështira, duke na lënë gjithmonë e më pak kohë për partnerin, miqtë, familjen. Me pak fjalë, na mbeti shumë pak kohë, thuajse aspak, për të përqafuar romancën.

Sot një mashkulli nuk i duhet të investojë kaq shumë kohë dhe përkushtim, për të bërë për vete një vajzë. Mjafton të ulet përpara një kompjuteri, apo të ketë një “smartphone”, të lundrojë në rrjetet sociale dhe të gjejë dikë. E gjithë njohja e tyre konsumohet virtualisht, në një mënyre paksa të mërzitshme dhe aspak romantike. Njohjet online e kanë kthyer shumë të lehtë marrëdhënien, me shumë eksperienca që nuk zgjasin më shumë se një natë, ose marrëdhënie tepër sipërfaqësore, në rastin kur zgjasin më tepër. Mbi të gjitha, interneti na shet shumë lirë te të tjerët.

Për disa meshkuj është shumë herë më e thjeshtë për të parë një “po” ose një “jo” në ekranin e kompjuterit, sesa të përballen me reagime duke e parë partneren në fytyrë. Marrëdhëniet online po i bëjnë njerëzit dembelë, lehtësisht të parashikueshëm dhe sipërfaqësore. Madje, ata nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për të mbajtur njëri-tjetrin. Sepse në fund të fundit, logjika është: përse të rrish me të dhe të luftosh për ta mbajtur, ndërkohë që në profilin tënd ke dikë tjetër, që ka ndezur dritën jeshile?

Prandaj, këshilla e vetme është: lëreni mënjanë kompjuterin apo telefonin, dhe dilni e kërkoni aty mes njerëzve!

Top Channel