Maqedonia, shtet jofunksional. Qytetarët kanë humbur besimin tek institucionet

05/03/2015 00:00

Qytetarët në Maqedoni kanë humbur krejtësisht besimin se institucionet vendore mund të zgjidhin krizën e thellë politike, në të cilën është zhytur vendi pas publikimit të aferës së përgjimeve, që sipas opozitës zbulon skandalet e shumta të zyrtarëve të Qeverisë.

Analistët në Shkup nuk presin normalizim të shpejtë të situatës, edhe përkundër apeleve të shtuara nga faktori ndërkombëtar për tejkalimin e krizës.

“Do të duhej të kishte zgjidhje përmes institucioneve, por problemi është sesa të besueshme janë ato. Këtu do të ketë rol të rëndësishëm faktori ndërkombëtar. Pa diskutim që, gjithçka do të kanalizohet në institucionet e Maqedonisë, por duhet të kemi garanci të thellë se ky proces do të jetë i besueshëm, garanci që do të duhet ta japë faktori ndërkombëtar, e jo institucionet siç janë tani”, tha Nazim Rashidi, gazetar.

Profesori Lubomir Frçkovski thotë se institucionet shtetërore në Maqedoni janë jashtë funksioni dhe nuk mund të ofrojnë zgjidhje për krizën politike në vend. Tejkalimin e kësaj situate, ai e sheh përmes krijimit të institucioneve të reja, të cilat do të kenë për detyrë të kryejnë hetimin e skandaleve korruptive të zyrtarëve qeveritarë, që po i zbulon opozita përmes aferës së përgjimeve.

“Unë mendoj se kriza kërkon zgjidhje politike. Nevojitet formimi i një Qeverie ekspertësh dhe krijimi i institucioneve të besueshme, që do të kenë për detyrë të organizojnë zgjedhje të parakohshme dhe të hetojnë kriminalitetin e funksionarëve të Qeverisë”, tha Lubomir Frçkovski, analist.

Analistët nuk përjashtojnë mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës politike në Maqedoni, ditëve në vijim. Megjithatë, ata vlerësojnë se janë të vogla gjasat, që vendi të përfshihet në ndonjë konflikt, pasi një gjë të tillë nuk do ta lejonte faktori ndërkombëtar.

Top Channel