Dialogu i radhës i Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, më 24 mars

05/03/2015 00:00

Komisioneri Europian Johannes Hahn viziton Shqipërinë në fund të Marsit, siç premtoi pas “bisedës intensive” me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Kryediplomati shqiptar vlerësoi nisjen e procesit të rishikimit të politikës së fqinjësisë nga KE dhe kërkoi të njëjtën gjë edhe për politikën e zgjerimit, në mënyrë që BE të shpejtojë ankorimin strategjik të Ballkanit.

“Ne u pajtuam dhe jam i lumtur të njoftoj, se më 24 mars do të mbajmë tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë në Tiranë, për të diskutuar hapat e mëtejshëm dhe gjithçka tjetër të nevojshme, për të ruajtur të gjallë perspektivën europiane. Të dy palët, Bashkimi Europian dhe Shqipëria, kanë interes të fortë për Qeverinë shqiptare dhe gjithë vendimmarrësit në vend, pasi Shqipëria ka perspektivë të qartë se çfarë na bën që të punojmë fort për të pasur progres. Ne kemi kuptuar se është e rëndësishme që, për negociatat e anëtarësimit tuaj në të ardhmen, është ekstremisht e çmuar dhe e rëndësishme që të ndërmerren procese brenda vendit, për ndryshimin gradual të kushteve ekonomike dhe sociale, e për këtë mendoj se ka rëndësi ndihmesa e BE-së, për të asistuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian”, tha Johannes Hahn.

“Patëm një shkëmbim pikëpamjesh të drejtpërdrejta dhe shumë të qarta me Komisionerin Hahn, në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Diskutuam gjithashtu për hapat, që do të ndërmarrë Shqipëria në të ardhmen, me ndihmën e Komisionit Europian. Gjithashtu diskutuam dhe për projektet, që do të përfshijnë të gjitha vendet e rajonit në procesin e ndërlidhshmërisë dhe përsa i përket reformave të karakterit ekonomik, për të shkuar kështu nga Konferenca e Berlinit në Konferencën e Vjenës me ndihmën e KE-së”, tha Ditmir Bushati.

Pavarësisht planifikimit, zhvillimet e fundit politike pas pretendimeve të deputetit Tom Doshi nuk u diskutuan fare në këtë takim, siç rrëfejnë për Top Channel burime konfidenciale pranë Komisionit, duke shtuar se biseda u fokusua mbi datën e mundshme të çeljes së negociatave të anëtarësimit dhe në vizitën e Komisionerit në Shqipëri.

Të njëjtat burime tregojnë se, në fakt, agjenda e Hahn qartësohet javën e ardhshme, kur pritet të konfirmohet dhe vizita në Tiranë. Mësohet se ministri u pyet mbi akuzat e deputetit Doshi në Parlament, kur u ftua në cilësinë e kreut të SEECP, për të biseduar me eurodeputetët e grupit të punës për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Goran Svilanoviç.

Takimi, ku munguan shefja e delegacionit Macovei dhe raportuesi Fleckenstein, ishte i mbyllur për mediat dhe, sipas burimeve, ministri ishte përgjigjur se “çështja po trajtohet plotësisht nga organet e hetimit” dhe se “askush nuk është mbi ligjin”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel