Greqi, BQE ndal blerjen e detyrimeve të Athinës. Draghi: Të zbatohen reformat fillimisht

05/03/2015 00:00

Megjithëse nuk ka shprehur zyrtarisht pakënaqësinë e saj, gjithkush mund të thotë se Athina nuk e ka pritur aspak me pozitivitet vendimin e kreut të BQE-së, Mario Draghi, sipas të cilit institucioni që ai drejton nuk do pranojë detyrimet greke si kolateral, një lëvizje që do t’i siguronte përkohësisht qeverisë greke një frymëmarrje disamujore për të zbatuar planet e saj.

Nga Qipro, sot, guvernatori i Bankës Qendrore Europiane ka deklaruar fillimin e një programi shumë të madh për blerjen e detyrimeve shtetërore dhe private, me vlerë 60 miliardë euro, çdo muaj, deri në shtator të 2016-s, për të gjitha shtetet e eurozonës, duke përjashtuar Greqinë. Vlera totale e programit arrin në 1,1 trilion euro dhe ka për qëllim të mbështesë ekonominë problematike të zonës së monedhës së përbashkët.

“Banka Qendrore Europiane nuk mund të blejë detyrimet greke. Programi i lehtësimit nuk parashikon blerjen e obligacioneve private. Ai nuk mund të blejë detyrime greke për një sërë arsyesh të ndryshme. Para së gjithash, blerjet nuk bëhen për vendet që ndodhen nën një kontratë, ose nën një program”, tha Mario Draghi, president i BQE-së.

Draghi është shfaqur i ashpër, duke çuar mesazhin në Athinë se, duhen përfunduar më parë reformat e kërkuara nga huadhënësit.

“BQE i ka huazuar jo vetëm likuiditet, por i ka huazuar Greqisë 100 mld euro. Dhe e theksoj, që kjo është e barabartë me 68% të PBB-së së Greqisë, shuma më e lartë në të gjithë eurozonën, e cila madje është dyfishuar nga 50 në 100 mld euro në dy muajt e fundit. Pra është gjëja e fundit që mund të thotë dikush, se BQE-ja nuk po e mbështet Greqinë”, tha më tej Draghi.

Lajmi në fjalë e gjen qeverinë greke në përpjekje intensive për përgatitjen e një plani reformash, që do paraqesë ditën e hënë para partnerëve të saj në samitin e Eurogrupit, por të gjithë e dinë se Athina ndodhet “me lakun në fyt”, pasi përballon një mungesë likuiditeti të konsiderueshëm dhe, në ditët në vazhdim, Greqia duhet të paguajë borxhe të vjetra dhe detyrime të FMN-së e të partnerëve europiane, që u mbaron afati brenda muajit mars.

Ministri grek i Financave, Varoufakis është përpjekur të qetësojë opinionin publik se, edhe nëse nuk gjen nga huadhënësit e Greqisë një mundësi për shlyerjen e këtyre borxheve pak më vonë se afatet e parashikuara, ekziston një “plan B” që Athina të jetë korrekte në detyrimet e saj. Të hënën, vetë kryeministri Tsipras, në përpjekje për të gjetur mundësi të reja financimi dhe mbështetje, viziton disa kryeqytete europiane.

Top Channel