Drejtësia, marrëveshja e Brukselit dorëzohet zyrtarisht në Kuvend

05/03/2015 00:00

Pak ditë pa u bërë një muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes për Drejtësinë në Bruksel, Qeveria e Kosovës e dërgoi tekstin e saj zyrtarisht në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe deputetët kanë marrë nga një kopje të marrëveshjes së arritur mbrëmjen e 9 shkurtit në Bruksel.

“Ju dërgoj për njoftim marrëveshjen për Drejtësinë të arritur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë”, thuhet në tekstin e dërguar nga Qeveria, ku bashkëngjitur është edhe marrëveshja 15-pikëshe.

Autoritetet qeveritare kanë thënë se marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk kërkon ndryshimin e asnjë ligji. Ajo parasheh krijimin e një Gjykate Themelore dhe një Zyre të Prokurorisë Themelore për rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen katër komunat veriore, Mitrovica e Jugut, Vushtrria dhe Skënderaj.

Gjyqtarët shqiptarë dhe serbë pritet të punojnë bashkarisht, ndërsa për shkaqe infrastrukturore Gjykata Themelore do të funksionojë në katër degë: në Zubin Potok, Leposaviq, Skënderaj dhe Vushtrri.

Kompromisi që ka bërë Kosova është te numri i gjykatësve serbë, që në secilin rast është i barabartë me atë të shqiptarëve ose më i lartë. Kryetari i Gjykatës Themelore do të jetë serb, ndërsa njësiti i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë do të përbëhet nga 5 gjyqtarë serbë dhe dy shqiptarë.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar në orët e para të mëngjesit të datës 9 shkurt dhe për këtë ka pasur jo pak reagime nga shoqëria civile dhe opozita.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel