ISIS, Clapper: 180 amerikanë janë larguar drejt Sirisë, 40 janë rikthyer

05/03/2015 00:00

Rreth 180 amerikanë janë larguar drejt Sirisë me synimin për t’iu bashkuar militantëve islamikë, ndërsa 40 prej tyre janë rikthyer në SHBA, ka bërë të ditur gjatë së hënës drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, James Clapper.

E megjithatë, Clapper është shprehur se jo të gjithë ata që kanë shkuar në Siri, ku militantët e Shtetit Islamik dhe ata të fraksioneve të tjera janë duke luftuar mes tyre por edhe me forcat e presidentit Bashar al-Assad, janë përfshirë në fushatat ekstremiste të islamikëve. Disa prej tyre mund të jenë duke kontribuar si punonjës ndihmash, tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre besojnë se më shumë se 20 mijë luftëtarë të huaj nga më shumë se 90 vende të botës, kanë shkuar tashmë në Siri. Forcat e ISIS kanë pushtuar rajone të tëra në Siri dhe Irakun fqinj.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me disa amerikanë, të cilët janë radikalizuar dhe janë trajnuar në Siri për të kryer sulme terroriste, mund të bëjnë kërdinë edhe në tokën amerikane, kur ata të kthehen nga Lindja e Mesme. Clapper tha se nuk ishte në dijeni, deri më tani, të ndonjë komploti në të cilin të jetë përfshirë ndonjë luftëtar i kthyer nga Siria.

Ai foli përpara një forumi të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, duke thënë se për sa kohë që të tillë udhëtarë nuk përfshihen në ngjarje të dhunshme, atëherë është e drejta e tyre si “shtetas amerikanë” që të rikthehen në SHBA.

Ndërkohë, ish-pengu i ISIS, Nicolas Henin, një gazetar francez, bën të ditur se të qenit një luftëtar krah Shtetit Islamik është kthyer në një alternativë popullore për të rinjtë muslimanë, sepse për ta “nuk ka asgjë më të mirë” për të bërë në jetë. Ai i përshkruan rekrutët e rinj, të cilët kanë ndihmuar në krijimin e radhëve të shumta të luftëtarëve islamikë, si “djem të përhumbur”.

“Ju e dini se 20 apo 40 vjet më parë, kur një i ri donte të rebelohej ndaj prindërve të tij, thjesht mund të thoshte se ‘boll më, po më shqetësoni. Do të largohem nga shtëpia’, ose ‘po dal të tymos’”, tha Henin për NBC Neës. “Ndërkohë, ditëve të sotme, nëse të rinjtë duan të rebelohen ndaj prindërve të tyre, ata thjesht marrin rrugën drejt Sirisë për të luftuar”, shtoi ai. “Por mund të siguroj se ajo çfarë përjetojnë atje është e tmerrshme”.
 
Clapper shtoi se donacionet ndaj grupeve ekstremiste, si Shteti Islamik apo degët e ndryshme të Al Kaedës, nga qeveritë apo palë private në vendet muslimane tashmë kanë rënë dhe pjesërisht për shkak të rritjes së mbikëqyrjes së qeverive të rajonit.

Ai theksoi edhe njëherë se prioriteti i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve, sa i përket Sirisë, tashmë është të luftohet kundër Shtetit Islamik. Por, ai shtoi se SHBA-të ende besojnë se largimi i Assadit nga posti i tij është i rëndësishëm, sepse “tërheqja për gjithë këtë ekstremizëm në rajon është kryesisht prej tij”.

Ai pranoi se përpjekjet e SHBA-ve për të rekrutuar, ekzaminuar dhe trajnuar rebelët “e moderuar” sirianë do të jenë përpjekje afatgjata. “Çështja është te koha që do të duhet deri në pasjen e një impakti pozitiv”, shtoi ai.

Top Channel