Partia Demokratike: Më 12 mars nisin protestat

05/03/2015 00:00

Të enjten e ardhshme opozita nis protestat në vend. Ky ka qenë vendimi i marrë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike dhe drejtuesve të degëve të saj në rrethe.

Mbledhja është mbajtur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, për t’i dhënë dimensionin e një vendimmarrjeje dhe reagimi të menjëhershëm nga ana e opozitës, pas publikimit të akuzave nga deputeti Doshi.

Protesta e 12 marsit në Tiranë do të ketë kërkesën kryesore largimin e Ilir Metës nga detyra, pas akuzave që bëhen ndaj tij për porositjen e vrasjes së dy deputeteve.

Protesta do të jetë nxitje për dekriminalizimin, theksojnë burime nga mbledhja e Partisë Demokratike, por edhe kundër asaj që demokratët e cilësojnë, ‘mungesa e rendit dhe sigurisë në vend’.  Protesta e datës 12 mars, që nis në Sheshin “Skënderbej, përkon me ditën kur do të mbahet seanca e radhës parlamentare.

Më herët, Lulzim Basha akuzoi drejtuesit e mazhorancës për ndërhyrje në hetimin e çështjes dhe devijimin e tyre. Kreu i demokratëve tha se informacioni që po rrjedh në media është bërë përmes krerëve të pushteteve me një qëllim: presion ndaj drejtësisë dhe zhurmim të opinionit publik për të çuar përfundimin e hetimeve sipas paracaktimit të tyre.

“Edi Rama dhe Ilir Meta duhet ta dinë se dekriminalizimi i Parlamentit nuk bëhet duke vrarë, nuk bëhet me krim. Ata sot janë të akuzuar, njëri si porositës i vrasjes me pagesë të deputetëve dhe tjetri si dëshmitar dhe fshehës për 6 muaj i veprës penale. Kanë punë me drejtësinë. Mund t’i fshihen ligjit, por popullit nuk mund t’i fshihen dot”, theksoi Basha.

Top Channel