Plagoset aktori Harrison Ford në një aksident ajror në Los Angeles

06/03/2015 00:00

Aktori amerikan Harrison Ford  ka mbetur i plagosur ditën e enjte në një aksident ajror në Los Angeles.

Mediat amerikane shkruajnë se avioni që ai po pilotonte është rrëzuar në një fushë golfi në Venice, pranë aeroportit të Santa Monica-s, në Los Angeles.

Në raportimet e para u tha se Harrison Ford ishte në gjendje të rëndë për jetën, por më pas burime të tjera sqaruan se gjendja e tij nuk ishte shqetësuese.

Një zëdhënës i zjarrfikësve tha se ata kishin marrë një telefonatë për rrëzimin e një avioni të vogël në një fushë golfi dhe kishin mbërritur menjëherë në vendngjarje. “Një person, rreth të 70-ave, ishte jashtë avionit dhe i vetëdijshëm në momentin kur arritën mjekët”, tha zëdhënësi i zjarrfikësve.

Aktori Harrison Ford, tashmë në moshën 72 vjeçare, pasi ka marrë ndihmën e parë nga dy mjekë në vendngjarje është dërguar në spital për shërbim mjekësor më të detajuar. Bëhet e ditur se ai ishte i vetëm në bordin e avionit.

Shkaqet e rrëzimit të avionit janë ende të paqarta. 

Top Channel